Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brenshme dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të mbështetur nga Ambasada e Italisë, për angazhimin e komunitetit në fushën e parandalimit të radikalizimit.
Në prani të ambasadorit italian në Kosovë, ShT Piero Cristoforo Sardi, nëshkrimin e marrëveshjes e ka bërë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe zëvendës përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo.
“Gjilani është komuna e parë në Kosovë, në kuadër të programit të pilotimit, preventivës lokale dhe parandalimin e formave të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në nivel lokal, inicitivë kjo globale, përmes OKB-së. Gjilani është pjesë e Rrjetit Botëror të Qyteteve (Strong Cities Network) me seli në Londër, që e definon rolin e komunave në angazhime konkrete që Mekanzimi Referues për parandalim në nivel lokal të eliminoj çdo tendencë të ekstremizmit. E falënderoj për mbështetjen ambasadorin Sardi, ministrin Hyseni dhe zëvendës përfaqësuesen e UNDP-së, Roccasalvo”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai tha se ndihet i nderuar që për këtë marrëveshje është zgjedhur Gjilani, si qytet pa vrasje brenda 3 vite e gjysmë.
“Falë efikasitetit të policisë së shtetit, prokurorisë dhe gjykatës, ne kemi arritur këtë siguri. Tash jemi shumë më komod që të punojmë në preventivë. Gjilani nuk është komunë që ka pjesëmarrje në luftërat e huaja, por ne kemi Mekanimin Referues me një pjesëmarrje kualitative, i cili mund të ketë ndikim tek grupmoshat e reja. Katër rastet e para janë zgjidhur shumë shpejt me ndërhyrjen e anëtarëve të Mekanizmit, që është trupë jashtëzakonisht efikase dhe ndërsektoriale. Ky Mekanizëm po punon që të parandalohet kjo dukuri globale”, ka shtuar kryetari Haziri.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ka lavdëruar kryetarin Haziri, për të cilin tha se e ka sensin e kuptimit në thellësi të këtij problemi.
Ai theksoi se identifikimi me kohë i formave të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është shërbim i madh ndaj një të riu, para se të shkoj në ujëra të pakthim.
“Jo rastësisht është përgjedhur Gjilani për këtë marrëveshje, pasi Mekanzimi Referues ka qenë shumë efikas në identifikimin apo raportimin e rasteve të komunitetit, të cilët kanë marrë rrugën e radikalizmit. Prova e Gjilanit nuk ka qenë e vështirë sespse ju keni një kryetar (Lutfi Haziri) që e ka sensin e kuptimit në thellësi të këtij problemi. Do të doja të kemi më shumë kryetarë të tillë që punojnë fuqishëm kundër këtij fenomeni. Mekanizmi po dëshmohet se është shembull edhe për komunat tjera”, ka deklaruar ministri Hyseni.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, ka thënë se atë që e bërë Kosova sa i përket luftës kundër kësaj dukurie, nuk e ka bërë asnjë shtet në rajon, për të shtuar se arsyeja që është zgjedhur Gjilanit për këtë program është se “kjo komunë ka qenë gjithmonë udhëheqëse e këtyre rrugëtimeve. Është komunë që ka dinamizëm dhe janë të hapur për ta bërë këtë”.
“Mekanizmi ka qenë një mjet I mire për ta sulmuar radikalizmin në nivel lokal”, tha ajo.
Ndërkaq, ambasadori italian në Kosovë, ShT Piero Cristoforo Sardi, tha se rëndësia e këtij programi është se ka një mënyrë të re për të parandaluar ekstremizmin.
“Përvoja e Komunës së Gjilanit mund të përdoret edhe në komunat tjera të Kosovës. E falënderoj kryetarin Lutfi Haziri, i cili e ka marrë rolin udhëheqës në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit. Falëminderit të gjithë kosovarëve dhe institucioneve për përkrahjen në këtë aspekt”, tha ambasadori Sardi.