Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku dhe Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë (AD), Enver Fejzullahu, nënshkruan një memorandum të bashkëpunimit në kuadër të aktiviteteve për zbatimin e Strategjisë për Sundim të Ligjit 2021-2026.
Me anë të këtij Memorandumi, mundësohet vendosja e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Akademisë së Drejtësisë, njëkohësisht, definohet qartë bashkërendimi dhe koordinimi i proceseve dhe aktiviteteve ndërinstitucionale në fushën e trajnimeve të prokurorëve dhe zyrtarëve të administratës së sistemit prokurorial.
Kryesuesi i KPK-së, me këtë rast, ka thënë se ky memorandum është një akt i rëndësishëm që përcakton garantimin e standardeve të koordinimit dhe ndërlidhjen e sistemeve elektronike për të mundësuar shkëmbimin e informatave në mes të KPK-së dhe AD-së në trajnimin e prokurorëve.
Gjithashtu edhe, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe institucionit që drejton se do të angazhohen me përkushtim për zbatimin e këtij memorandumi, duke thënë se në asnjë moment nuk do të mungojë mbështetja profesionale, teknike dhe organizative, në mënyrë që të bëhet ngritja e nevojshme e kapaciteteve të sistemit prokurorial. /2LONLINE/