Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nënshkruar marrëveshje me Kryeshefin e KRU Hidromorava, Ymer Salihu.
Kjo marrëveshje përfshinë menaxhimin e rrjeteve të ujësjellësit në gjashtë lokalitete si Roganë, Hodonoc, Muçiverc, Shipashnicë, Novosellë dhe Dajkoc, lokalitete këto me 1710 familje.
Kryetari Rahimaj thekësoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po rritet kapaciteti i ujit në 100 për qind në krahasim me periudhën sa ka qenë.
“Deri më tani është bërë një punë maratonë me një përkrahje tejet të madhe duke i bashkuar forcat me KRU Hidromorava dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Ministres Artane Rizvanolli dhe zv.Ministrit Getoar Mjeku, për të finalizuar një nga projektet më jetike për ytetarët tanë në këto fshatra”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
I pari i komunës theksoi se fillimi i kësaj marrëveshje do të jetë testimi dhe pranimi teknik, e më pas në një kohë të shkurtër të gjitha këto familje do të kenë ujë në shtëpitë e tyre.
Në anën tjetër Kryeshefi i KRU Hidromorava, Ymer Salihu, falënderoi Kryetarin Rahimaj për bashkëpunimin, dhe tha se në këtë fushë kanë punuar ekspertë të shumtë.
“Ne së bashku me ju do të formojmë një komision dhe do t’i gjejmë defektet se ku janë, dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër do të keni ujë të bollshëm”, është shprehur Kryeshefi Salihu.
Në këtë takim morën pjesë edhe Drejtori i DSHPAIE, Zotrim Kastrati, Zyrtarja e Lartë Financave në KRU Hidromorava, Merita Xhelili, dhe përfaqësuesit e fshatrave. /2LONLINE/