Ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, qëndroi në një vizitë zyrtare në Bruksel. Në kuadër të kësaj vizite ministri ka nënshkruar Marrëveshjen për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Ministri në detyrë z. Mustafa falënderoj Komisionerin Avramopoulos për mbështetjen e tij të vazhdueshme në proceset integruese të Republikës së Kosovës dhe në forcimin e kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit. Ministri theksoi se Kosova si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS por edhe duke u bazuar në obligimet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, është treguar partnere e besueshme e Bashkimit Evropian në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Më tutje, z. Mustafa e njoftoi Komisionerin Avramopoulos rreth zbatimit të programeve të deradikalizimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit.
Komisioneri Avramopoulos përgëzoi Qeverinë e Republikës së Kosovës për veprimin e guximshëm të treguar me rastin e kthimit të qytetarëve nga zonat e konfliktit dhe inkurajoi institucionet që të vazhdojnë me punën profesionale dhe zbatimin e Planit të Përbashkët.
Marrëveshja e nënshkruar sot buron nga Plani i Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor i nënshkruar nga Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor me 5 tetor 2018 në Tiranë. Në këtë marrëveshje parashihen pesë objektiva dhe aktivitete specifike që do realizohen në vitin 2019 dhe 2020 në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.