Sot në Bruksel u arrit dhe u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it, në mes të delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kryenegociatore për implementim në dialogun e Brukselit me ketë raste deklaroi se kjo marrëveshje për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it ka rëndësi të madhe sepse me ketë proces rrumbullakohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së IBM-it dhe të Protokollit Teknik, dhe praktikisht të dyja shtetet do të bashkëpunojnë në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit sipas standardëve më të larta të BE-së.
Kjo marrëveshje është negociuar tash një vit dhe arritja e saj shënon edhe një kontribut të të gjitha palëve për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, rritjen e kualitetit dhe sigurisë së kontrollit kufitarë, dhe është në funksion të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ajo po ashtu rikonfirmoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetin fqinj, Serbinë, dhe për avancimin e politikave të fqinjësisë së mirë në rrugëtimin e saj për integrimet Evropiane.
Me këtë marrëveshje parashihet ndërtimi i gjashtë pikave kufitare sipas konceptit të IBM-it me të gjithë infrastrukturën e nevojshme përcjellëse sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian.
Këto pika të përhershme kufitare të IBM-it do të ndërtohen me financimin e Komisionit Evropian përmes fondeve të Instrumentit të Para Aderimit (IPA) me një shumë prej mbi 21 milion Euro.
Komisioni Evropian në bazë të procedurave të brendshme parasheh që ndërtimi i këtyre pikave kufitare të IBM-it të filloj në fillim të vitit të ardhshëm.
Delegacioni i Kosovës vlerëson lartë angazhimin dhe kontributin e BE-së për arritjen dhe nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, si dhe zotimin e BE-së për të marrë përsipër financimin dhe ndërtimin e plotë të pikave kufitare të IBM-it në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në delegacionin e Republikës së Kosovës të kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Tahiri ishin, Fisnik Rexhepi nga MPB, Dren Zeka nga kabineti i ZVKM Tahiri, Qemajl Marmullakaj nga ZKM, Kolonel Shaban Guda nga Policia e Kosovës, Bekim Mehmetaj nga Doganat e Kosovës, Valdet Gjinovci nga AUV, Murat Meha nga AKK, dhe Labinot Hoxha nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.