Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me organizatën gjermane GIZ, për hartimin e planit komunal të veprimit për energji dhe klimë.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është zhvillimi dhe miratimi i Planit Komunal të Veprimit për Energji dhe Klimë (PKVEK) që ka të integruara veprimet dhe masat për përmirësimin e Efiçiencës së Energjisë, rritjen e aplikimit të burimeve te ripërtëritshme të energjisë dhe reduktimin e gazrave serrë.
“Këto plane do të përfshijnë një vlerësim të status quo-së në kontekstin lokal të energjisë, një vlerësim të emetimeve bazë të CO2 me vitin bazë referues, një identifikim të qartë të politikave dhe masave lokale për reduktimin e konsumit te energjisë, aplikimin e teknologjive të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe zvogëlimin e emetimeve te gazrave serë, përfshirë planifikimin e masave, veprimet, kornizat kohore për zbatimin, ndarjen e përgjegjësive, vlerësimi i kostos, dhe ndikimin ne kursime”, ka deklaruar kryetari Hyseni.
Ai ka theksuar se përmes këtij bashkëpunimi Komuna e Gjilanit do të mbështetet në ngritjen e kapaciteteve për menaxhimin komunal të energjisë për vendimmarrësit dhe menaxherin/zyrtarët komunalë të energjisë; në zgjerimin e Planit Komunal te Veprimit për Efiçiencë të Energjisë (PKVEE) në Plan Komunal të Veprimit për Energji dhe Klimë (PKVEK) të cilës i shtohen edhe komponenta e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe e klimës.
“Mbështetja parasheh draftimin e PKVEK-së në kordinim të ngushtë me vendimmarrësit/zyrtarët komunal që perfshinë; mbledhjen dhe analizën e të dhënave për planifikim dhe aplikim të masave të Efiçiencës së Energjisë, aplikimin e burimeve të ripërteritshme të energjisë dhe zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë ne sektorin e ndërtesave, ndriçimit publik, trasnportit, shërbimeve publike, dhe bujqësisë; si dhe ngritjen e kapaciteteve për monitorim dhe raportim të zbatimit të PKVEK-së”, ka nënvizuar kreu i Komunës, Alban Hyseni. /2LONLINE/