(2L ONLINE) – Juria e konkursit letrar ‘Beqir Musliu’, në përbërje Zejnepe Halili-Rexhepi, Hasan Bunjaku e Sarë Gjergji, ka shpallur të shtunën Nehas Sopajn nga Shkupi fitues të sivjetmë të çmimit letrar “Beqir Musliu”, që jepet nga Komuna e Gjilanit, për arritje të veçanta në letërsi.
Sopaj është fituesi i tetë me radhë i këtij çmimi, pas Ali Podrimjes, Sabri Hamitit, Musa Ramadanit, Visar Zhitit, Ibrahim Kadriut, Rexhep Qosjes e Ramadan Mehmetit.
Në emër të jurisë, arsyetimin e ka dhënë Zejnepe Halili-Rexhepi. Ajo ka thënë se Nehas Sopaj, autor i më se 40 veprave letrare, është një krijues i suksesshëm në të gjitha zhanret e letërsisë.
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, tha se Beqir Musliu është identiteti më i mirë për Gjilanin, duke nënvizuar se për së paku 24 vjet sa e ka njohur e takuar atë, ka mësuar shumë prej tij.
“Madhështia e Beqir Musliut nuk është vetëm në libra, por madhështia e tij qëndron edhe në dashurinë dhe përkushtimin që pati gjithmonë për Gjilanin, për Kosovën dhe për kombin e tij. Por, pa dyshim Beqiri është përshkruesi më i mirë i Gjilanit në veprat e tij, përshkrim ky që shkon deri në perfeksion, ka thënë Haziri.
Haziri u shpreh i interesuar për t`i rishikuar dhe riemëruar rrugët ku ka jetuar e ku e ka kaluar fëmijërinë dhe pjesën më të madhe të jetës së tij Beqir Musliu, sikurse dhe për të kontribuar në përgatitjen e dorëshkrimeve të tij për botim.
“Kjo është ajo që më së paku mund të bëjmë ne për Beqir Musliun”, ka thënë Haziri.
Sabit Rrustemi nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, ideator i ndarje së këtij çmimi letrar në Gjilan, ka thënë se tha se Gjilani i ka end shumë borxh Beqirit, duke përmendur dorëshkrimet e tij të shumta, që ende nuk e kanë parë dritën.
Rrustemi tha se është filluar të punohet në sistemimin e këtyre dorëshkrimeve, para tri vitesh, por ende nuk është përfunduar puna. Sipas tij, duhen së paku edhe gjashtë muaj punë për të përfunduar përgatitjen e këtyre dorëshkrimeve për botim./2L ONLINE/