Manifestimi tradicional kulturor, “Ditët e Agimit 2017”, ka vazhduar me vendosjen e luleve te shtatorja e heroit të kombit, Agim Ramadani, në Gjilan, e pastaj në Zhegër, vendlindjen e heroit është shënuar Dita e SHFMU “Agim Ramadani” dhe ditëlindja e Agimit.
Dita e kësaj shkolle, e cila me nderë e krenari mban emrin e heroit Kombëtar, Agim Ramadani, ka filluar me vargje poetike të Agimit, kënduar nga nxënësit e kësaj shkolle, e pastaj para pjesëmarrësve, ku të pranishëm kishte edhe përfaqësues të jetës publike, me një fjalë rasti është paraqitur, Rrahman Agushi, drejtor i SHFMU “Agim Ramadani”.
“Ditëlindja e Agimit, si dhe dita e shkollës sonë, – 3Maji, do të jenë ditë të lirisë, mburrjes dhe krenarisë, por edhe një ditë e manifestimit të asaj që i detyrohemi për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë së Kosovës. Sot, duke kujtuar ditëlindjen e komandantit legjendar, Agim Ramadani, kujtojmë lavdinë e luftës së UÇK-së, sakrificën e vajzave dhe djemve më të mirë që kishte atdheu, në ditët më të vështira. Kujtojmë lavdinë me të cilën ata u linden, rritën dhe ranë në altarin e lirisë.”,tha drejtori Agushi.
Ai, pastaj foli edhe për të arriturat dhe sukseset e kësaj shkolleje, me paralelet e ndara fizike, në: Lladovë, Nasalë,Haxhaj dhe Selishtë.
Shqipe Kastrati-Haziri, drejtoreshë e Arsimit në Gjilan, ndër të tjera, tha se nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle të angazhohem për suksese edhe më të mëdha, që me krenari mban emrin e heroit, Agim Ramadani.
Kurse, Shukrije Ramadani, bashkëshortja e heroit, Agim Ramadani, uroj nxënësit e kësaj shkolle, që të rriten në liri me shëndet dhe dashuri për jetën dhe të ardhmen e tyre.
Për nderë të ditës së shkollës dhe ditëlindjes së Agim Ramadanit, nxënësit e këtushëm, shfaqen një program të kombinuar kulturo- artistik, si: recitime, recitale, shfaqje skenike, këngë dhe valle, dedikuar këtij përvjetori.
Manifestimi vazhdon me aktivitete tjera, për t’u përmbyllur me manifestimin qendror “I këndojmë Agimit”.