DYLON

U prezantua rezultati i projektit për Diagnozë dhe mbikëqyrje të Etheve Hemorragjike

U prezantua rezultati i projektit për Diagnozë dhe mbikëqyrje të Etheve Hemorragjike
Avatar photo Redaksia

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, u prezantua sot rezultati i projektit: “Diagnoza dhe mbikëqyrja e Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, Biosiguria në Kosovë 2013-2016 dhe 2017-2019”, projekt i mbështetur nga programi i partneritetit gjerman për ekselencë në siguri biologjike dhe shëndetësore – Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, implementuar nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, në bashkëpunim me Klinikën Infektive të QKUK-së, IKSHPK dhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Prof. Hamdi Ramadani e hapi takimin duke falënderuar të gjithë akterët e realizimit të projektit, duke theksuar se falë projektit të realizuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, janë ngritur kapacitetet profesionale dhe me pajisje diagnostike, për çfarë do të shërbejnë që Kosova të jetë edhe më e përgatitur në luftën kundër Etheve Hemorragjike.

Profesori Sali Ahmeti nga Klinika Infektive – QKUK tha se viti 2013 ka qenë më sfiduesi për Kosovën me Ethet Hemorragjike. Nga ky vit falë mbështetjes së Qeverisë Gjermane përmes Institutit për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, dhe angazhimit edhe të Qeverisë së vendit me formimin e Këshillit Ndërministror për EHKK, gjatë tri viteve të fundit përkundër pickimeve që janë shkaktuar nga rriqrat, asnjë nuk ka përfunduar me fatalitet.

EkoHigjiena

Znj. Christina Gehlsen, zëvendës-ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, tha se Kosova është vlerësuar si partnere e mirë e bashkëpunimit dhe meqenëse projekti është vlerësuar i suksesshëm dhe mjaft i rëndësishëm për Kosovën, Qeveria Gjermane ka vazhduar të mbështesë këtë projekt edhe për tri vitet e ardhshme.

Dr. Petra Emmerich nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernard Nocht” – Hamburg, tha se qëllimi i projektit është parandalimi i sëmundjeve mikrobiologjike si dhe parandalimin e përhapjes së tyre në nivel global.

Prezantimi i aktiviteteve të projektit është bërë nga dr. Lindita Ajazi – Berisha nga Klinika Infektive, dr. Xhevat Ukaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe prof. Kurtesh Sherifi nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Ata thanë se falë mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë, si në ngritjen e kapaciteteve profesionale me anë të vizitave studimore jashtë Kosovës dhe marrjen pjesë në Konferenca Ndërkombëtare ashtu edhe me mbështetje me pajisje diagnostikuese është arritur suksese dhe përparim i ndjeshëm në luftën kundër Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, duke bërë thirrje për kujdes, marrje të masave preventive dhe të vazhdohet me mbikëqyrje, ngase Kosova ende cilësohet si rast endemik.

Më pas nga të pranishmit është vizituar reparti i pacientëve me EHKK në Klinikën Infektive si dhe Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.