Në Viti, sot është shënuar 3 Maji, Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit, me këtë rast udhëheqës Institucional, policisë së Kosovës dhe gazetarë të komunës së Vitisë, kanë vu kurora lulesh tek memoriali i gazetarit “Kerim Lewton”, që mban emrin e gazetarit të ndjerë, i cili u vra në kufirin Kosovaro- maqedonas, gjatë konfliktit në Maqedoni.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke vlerësuar rendësin e kësaj dite, ka thënë se duhet respektuar mendimi por edhe shprehja e lirë e shoqërisë.
“Me shënimin e Ditës botërore të lirisë së shtypit, nderojmë dhe kujtojmë edhe figura të ndritura të gazetarisë, të cilët me punën e tyre të shenjtë, kanë sakrifikuar edhe jetën, duke rënë në krye të detyrës së tyre fisnike. I tillë ka qenë edhe gazetari Kerim Lewton, të cilin e përkujtojmë sot, që u vra gjatë raportimit për Agjencinë e Lajmeve Associated Press në zonën kufitare Kosovë-Maqedoni. Shënimi i 3 Majit Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, na e përkujton çdo vit, sakrificën dhe rolin që ka media në zhvillimin e shoqërisë”, ka thënë Haliti.
Kurse komandanti i policisë në Viti Afrim Halili, ka theksuar se bashkëpunimi me media gjithnjë ka qenë në nivel të kënaqshëm.
Ai gjithashtu ka përmendur kërcënimet që mund ti kenë gazetarët gjatë raportimit, por ka inkurajuar ata që të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre me dinjitet, në informim sa më cilësor të opinionit, ngase policia e Kosovës do të jetë mbështetëse e gazetarëve dhe në ndjekje të atyre që janë kundër gazetarisë së mirëfilltë.
Kurse kryetari i Klubit të Gazetarëve “Kerim Lewton” në Viti , Shyqeri Halabaku, ka thënë se për vite me radhë, Vitia e shënon këtë ditë, ku edhe përkujton gazetarin e ndjerë Kerim Lewton.
Ai po ashtu u fokusua edhe në të dhënat e lirisë së shtypit në botë, si dhe problemet me të cilat ballafaqohet media në përgjithësi.