Në Viti u shënua Dita Botërore pa Duhan me moton “Vrasësi i heshtur i të rinjve -duhani”.
Sot në kuadër të Ditës Botërore pa Duhan, janë zhvilluar disa aktivitete në Viti. Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit , konkretisht Shkollës së Mesme “Kuvendi i Lezhës” klasa X2 dhe Drejtorisë së Shëndetësisë- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Viti, është mbajtur një prezantim nga nxënësit mbi aktivitetet e realizuara në kuadër të luftës kundër duhanit.
Gjatë këtij aktiviteti është bërë një eksperiment nga lënda e kimisë, pastaj aktiviteti me vrapim , ku nga punëtorët shëndetësor është bërë matja e tensionit arterial, saturimi i oksigjenit dhe pulsi arterial te duhanpirësit dhe jo duhanpirësit.
Gjithashtu, është bërë hulumtim edhe në 4 shkollat e komunës së Vitisë, ku janë paraqitur rezultatet. Në fund ēshtë mbajtur edhe një ligjëratë nga dr. Aid Shefkiu “Duhani dhe pasojat e tij”.
Të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan drejtoresha e DKA Fatbardha Emini, Drejtori i Gjimnazit Mujë Tafa dhe drejtoresha e QKMF-së dr.Vjollca Kadolli-Halili .
Pas prezantimeve nën mbështetjen e policisë është realizuar marshi “Stop duhanit-Ky vrasës i heshtur i të rinjve”.
Përndryshe , Dita Botërore pa duhan shënohet prej vitit 1978, me 31 maj.