Sot në Viti, është mbajtur sesioni informues për promovimin e projektit për Bimët Mjekësore Aromatike nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK) në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ku kanë marrë pjesë fermerët vitias.
Gjatë këtij sesioni informues ndër tjerash u fol edhe mbi qëllimin e këtij projekti që ndër tjerash parasheh përmirësimin e qëndrueshmërisë së zinxhirit të vlerës së Bimëve Mjekësore Aromatike (BMA).
Në këtë sesion u theksua se për vitin 2019 nga ky projekt do të fokusohet kryesisht në kulturat shumëvjeçare të BMA-së, ku ndër tjerash mund të përfitohen grante me fidanë të BMA-së për 20 ari, sistem të ujitjes për 20 ari.
Gjithashtu sipas këtij sesioni informues mund të përfitohen edhe grante të tjera si në pajisjen me serrë tharëse në dimensione të ndryshme por edhe të mekanizmave të ndryshme bujqësorë për kultivuesit e BMA-së.
Gjatë këtij viti projekti i IADK-së në fushën e BMA-së, fokusohet kryesisht në bimët mjekësore aromatike shumë vjeçare si: Mente, Melisa, Sherbelja etj.
Ndërkaq ky projekt parasheh të përkrah edhe kultivuesit e kulturave njëvjeçare si: Kalendula, Ciani, Luledielli dhe Mëllaga e Zezë.
Arlinda Sahiti, drejtoreshë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka mirëpritur realizimin e këtij projekti në Viti dhe u zotua se ata do të kenë mbështetjen e Komunës së Vitisë në realizimin sa më të suksesshëm të këtij projekti.