“Zhvillimi social dhe emocional I fëmijëve dhe roli i prindërve”, ishte temë e seminarit të sotëm që u mbajt në Viti, me edukatoret e nxënësve parashkollor, punëtorë shëndetësorë e social, që në fokus kishte rolin e edukatoreve por edhe prindërve në zhvillimin normal të fëmijëve.
Ligjëruese në këtë seminar ishte Rosita Rudi pedagoge dhe Drita Ibrahimi punëtore sociale në Zvicër, me që rast kanë vu në pah rolin e prindërve në zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve në aspektin social, emocional.
“Në Zvicër unë punoj me emigrant dhe shumë nga ta janë shqiptar. Jam e kënaqur me organizimin që është bërë në Viti, me që ka ngjallur interesim tek pjesëmarrëset. Kjo na shtyn të jemi të përkushtuara që të marrim iniciativa të reja për organizime këtu, pasi që ligjëratat në këtë fushë, mund të jenë të efektshme në zhvillimin e fëmijëve, por edhe që ndikojnë pozitivisht tek prindërit”, ka thënë znj. Rudi.
Kurse Drita Ibrahimi është shprehur se qëllim i këtij seminari, është që edukatoret, ti bartin përvojat tek prindërit e nxënësve.
“Me ligjërata ne kemi filluar vitin e kaluar këtu në Viti, por edhe komunat përreth Gjilan e Ferizaj, ku kemi mbajtur një seminar me nënat, ndërkohë që kemi konsideruar si shumë të nevojshëm një tjetër ligjërim me edukatoret, me punëtorët shëndetësor dhe ata social. Tema e sotme e zhvillimit social dhe emocional të fëmijëve, i kushtohej moshës nga 0 deri 7 vjet, moshë kjo e cila është bazë e një zhvillimi të shëndoshë i një fëmije që do ta përcjell tërë jetën. Shpresoj se pjesëmarrëset përmes pyetjeve dhe debateve që i patëm gjatë këtyre dy orëve, kanë pasur mundësi të marrin njohuri dhe përvoja të reja nga ky seminar”, ka thënë znj.Ibrahimi.
Ajo më tej ka bërë të ditur se në bazë të interesimeve që kanë pasur si në seminarin e vitit të kaluar me nënat dhe tani me edukatoret, një seminar planifikohet të mbahet vitin e ardhshëm me tema të tjera ku edhe pjesëmarrëset do të certifikohen.
Seminari i sotëm u organizua në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare , Drejtorinë e Arsimit dhe Zyrën për Informim Publik të komunës së Vitisë.
Doktoresha Vjollca Kadolli, ka vlerësuar seminarin si shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me praktikat moderne, sidomos ato që praktikohen në shtetet perëndimore, e respektivisht në shtetin zviceran.
Ajo ka theksuar se organizimet e seminareve të kësaj natyre, janë shumë të mirëseardhura dhe ndikojnë pozitivisht pos në zhvillimin e fëmijëve, po ashtu edhe për prindërit se si duhet të sillen me fëmijët e tyre.