/2L ONLINE/ – Organizuar nga Komuna e Vitisë, konkretisht Zyra për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në Viti në bashkëpunim me programin USAID EMPOWER për mbështetje të Kredive (ECS) është mbajtur sot në Viti, punëtoria “ Qasja në Financa”
Në këtë punëtori kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve, shoqatave të grave etj që veprojnë në territorin e komunës së Vitisë . Përmes këtij takimi ata janë njoftuar rreth mundësive për të financuar biznesin si dhe mbi Fondin Kosovar për Garanci Kreditore. Gjithashtu gjatë këtij takimi të pranishmit kanë diskutuar edhe mbi problemet që ballafaqohen bizneset e që ndër problemet kryesore për ta vlerësohet të jetë qasja në financa.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu në fillim të kësaj punëtorie tha se Komuna e Vitisë dhe Kryetari Haliti me bashkëpunëtor të tij janë të përkushtuar të përmbushin zotimin e dhënë për përkrahje e bizneseve vitiase duke potencuar se për këtë kjo komunë po punon ngushtë me të gjitha mekanizmat.
Ndërkaq Viktor Krasniqi nga projekti EMPOWER pasi foli mbi krijimin e Fondit Kosovar për Garanci të Kredive tha se qëllimi i këtij takimi është që bizneset të njoftohen mbi mundësitë të reja që ofron tregu i Kosovës.
“ Qëllimi i këtij takimi në komunën e Vitisë, ka qenë informimi i bizneseve mbi këto mundësi të reja të cilat ofrohen në tregun e Kosovës. Po ashtu edhe mbi përgatitjen se çka duhet të përmbajnë një biznes, se çka duhet të këtë biznesi që të gëzoj të drejtën e aplikimit në banka për të pasur qasje në financa“, u shpreh Krasniqi.
Ai tha se sipas analizave të bërë ata janë të njoftuar që ka shumë biznese në Kosovë që për shkak të pamundësisë së ofrimit të pengut ( kolateralit) në vlerën mjaftueshme apo edhe për shkak të kreditimit dhe historisë së kredive nuk kanë pasur mundësi të kenë qasje në financa.
Kurse, Mentor Rexhepi , Udhëheqës i Zyrës për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në Viti, tha se kjo zyre në mbështetje të programit Helvetas Swiss Intercooperation-Projekti Aftësitë për punësim Rural kanë bërë një analizë dhe intervistë me 50 biznese të kësaj komune.
Ai tha se nga analiza dhe intervistat e zhvilluar ka dalë se qasje në financa është ndër problemet kryesore, duke potencuar se për këtë është zhvilluar edhe kjo punëtori në Viti. Rexhepi tha se Zyra për Investime dhe Mbështetje të Bizneseve në Viti, është e gatshme të ndihmoj bizneset , në krijimin e plan bizneseve të qëndrueshme për të përfituar nga mundësitë e reja që ofrohen me Ligjin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Gjatë këtij takimi u bë e ditur se Fondi Kosovar për Garanci Kreditore mund të lëshoj garanci për portofol kredish për institucionet financiare, për të mbuluar deri në 50% të rrezikut për kredi, si dhe me këtë , të rrisë edhe kreditimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.
Po ashtu u bë e ditur se mbi 400 milion euro të depozitave bankare të qytetarëve të Kosovës gjenden në banka të ndryshme të botës dhe se ato duhet të shfrytëzohen për investime, zhvillim të bizneseve dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës në Kosovë dhe kjo mund të bëhet edhe përmes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore ku deri me tash gjysma e bankave të Kosovës janë pjesë e këtij fondi. Përndryshe në këtë takim ka marrë pjesë edhe Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama./2L ONLINE/