Me moton “Ekzaminohu me kohë, vrapo për jetën” sot në qytetin e Vitisë, është mbajtur marshi sensibilizues për ndërgjegjësimin e sëmundjes së kancerit të gjirit por edhe për përkrahjen e personave të prekur nga kjo sëmundje.
Ky aktivitet është mbajtur në kuadër të organizimit të komunës së Vitisë, DSHMS-së, Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti si dhe grave asambleiste të KK të Vitisë dhe atë në kuadër të muajit tetor që njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti ndër tjerash ka folur edhe për përkrahjen e kësaj komune në këto aktivitete.
“Ky muaj na ka gjetur të përgatitur me të gjitha kapacitetet tona qoftë të shëndetësisë primare, aspekteve të tjera apo të përkrahjes morale. Edhe ky marsh organizohet në shenjë të përkrahjes së personave të prekur me këtë sëmundje”, u shpreh kryetari Haliti, duke ju uruar shërim të shpejt personave të prekur me kancer të gjirit, me ç’rast para fillimit të marshit kryetari Haliti ndau mirënjohje për përkrahje të aktiviteteve në kuadër të muajit “Rozë” për Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, dr. Nazim Dautin.
Ndërsa Merrushe Ahmeti, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Viti, tha se qëllimi kryesor ka qenë informimi i qytetarëve mbi këtë sëmundje dhe simptomave të kancerit të gjirit dhe parandalimi me kohë. Ajo tha se me zbulimin me kohë të kësaj sëmundje ajo mund të kurohet dhe se për këtë mjafton të zbulohet me kohë, por të ketë edhe energji dhe mendim pozitiv.
Ndërkaq Vjollca Kadolli-Halili, drejtoreshë e QKMF-së në Viti, tregoi për aktivitetet që janë zhvilluar në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit në Viti. Fillimisht me Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit kemi lidhur marrëveshje, ku të gjitha grave që janë lajmêruar në QKMF-Viti iu është caktuar termini për mamografi.
Gjithashtu, edhe këtë vit me përkrahjen vullnetare të dr.Nazim Dautit, radiolog është bërë ultrazëri falas për 22 gra te komunës sonë. Ajo tha se në kuadër të këtij muaji janë mbajtur edhe ligjërata të vetëdijesimit në lokalitetet e ndryshme të komunës së Vitisë, ligjërata me stafin shëndetësor si dhe ligjërata sot nga dr.Arben Bislimi- onkolog në QKUK.
Me këtë rast ajo falënderoj të gjitha institucionet dhe qytetarët që kanë përkrahur këto aktivitete gjatë tërë muajit. Ndërkaq, me mirënjohje për përkrahjen dhe bashkëpunimin u nderuan edhe Fatime Rrahmani nga projekti Demos dhe Dr.Arben Bislimin për ligjëratën e mbajtur.
Në shenjë të kësaj dite dhe në përkrahje të të prekurve me kancer të gjirit, Fatime Bekteshi, Gresë Bekteshi dhe Arjeta Çovanaj, kanë dhuruar flokët e tyre. /2LONLINE/