Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) i Komunës së Vitisë me shqetësim ka pritur lajmin për rritje të rasteve pozitive me Covid19, pas mbi 40 ditëve pa të infektuar në këtë komunë.
KKMSH ka vlerësuar se raportet e mbrëmshme nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për 12 raste të reja me gripin pandemik, flasin për kthim në gjendjen fillestare, më 13 mars kur u identifikuan të infektuarit e parë në Viti dhe Kosovë.
Kryetari Sokol Haliti, edhe si kryesues i KKMSH-së, tha se gjendja nuk është e mirë, as në nivel vendi, për shkak të mosrespektimit të masave kundër Koronavirusit. Sipas tij, këto sjellje mund do ta dëmtojnë situatën akoma më shumë.
Ai kërkoi seriozitet dhe përgjegjshmëri nga të gjithë, sidomos nga qytetarët, të cilët mund ta rikthejnë gjendjen për të mirë, duke zbatuar rekomandimet e institucioneve dhe ekspertëve shëndetësorë.
Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Afrim Halili tha se Policia ka rritur vigjilencën, por nuk ka ndonjë vendim nga niveli qendror për ashpërsim të masave, përkundër që numri i të infektuarve po rritet. Ai tha se janë duke mbikëqyrë vatrat e reja të infekcionit dhe janë në kontakt me personat e vetizoluar.