/2L ONLINE/ – Në të gjitha fakultete e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajtën provimet pranuese në afatin e dytë të konkursit plotësues për pranimin e studentëve në studimet themelore – bachelor në vitin akademik 2016/2017. Menaxhmeti i Universitetit ka vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, për të parë nga afër këtë proces. Ata janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj të cilën dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë, njëherësh të gjithë kandidatëve u kanë dëshiruar suksese në provimin pranues. Kurse Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, tha se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi.
Universiteti “Kadri Zeka”, në vitin e parë të studimeve, në afatin e dytë të konkursit plotësues për pranimin e studentëve në studimet themelore – bachelor në vitin akademik 2016/2017, do të regjistrojë 779 studentë të rregullt, ku përfshihen studentët që i takojnë familjes së ngushtë të dëshmorëve, student nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Kësaj radhe kandidatët nga Kosova kanë patur mundësinë të aplikojnë vetëm ne Fakultetin Ekonomik, pasi që në këtë Fakultet kanë mbetur vende të lira, por këtë mundësi nuk e kanë patur kandidatët tjerë nga Kosova që kanë shprehë dëshirën të jenë pjesë e Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, ku vendet për studim janë plotësuar në afatin e parë të konkursit.
Të drejtë pranimi në Universitetin “Kadri Zeka” kanë të gjithë kandidatët të cilët e kanë përfunduar me sukses shkollën e mesme dhe e kanë diplomën për shkollimin e kryer.
Rezultatet e provimit pranues do të shpallen në ueb faqen e universitetit ëëë.uni-gjilan.net deri më 22 shtator 2016.
Regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të bëhet në administratën e njësive akademike, nga data 26. 09. 2016 deri më datë 30.9.2016 prej orës 9:00 – 15:00. /2L ONLINE/