/2L ONLINE/ – Në të gjitha fakultete e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajtën provimet pranuese për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2016/2017. Për të parë nga afër këtë proces, Bajram Kosumi Rektor në Universitetin “Kadri Zeka”, së bashku me Prorektorët dhe Sekretarin e Përgjithshëm, kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese, derisa janë shprehur të kënaqur me mënyrën e organizimit dhe mbarëvajtjen e ecurisë së testit pranues të studentëve të rinj të cilën dëshirojnë të jenë pjesë e Universitetit tonë.
Rektori Bajram Kosumi, të gjithë kandidatëve u uroi suksese në provimin pranues. Kurse Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, tha se procesi i testimit ka shkuar mbarë dhe se nuk ka pasur ndonjë parregullsi. Universiteti “Kadri Zeka” ne Gjilan, në katër Fakultetet, atë të Edukimit, Juridikut, Ekonomikut dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, në vitin e parë të studimeve, për vitin akademik 2016-2017, do të regjistrojë 1504 studentë të rregullt, në kuadër të këtij numri përfshihen edhe studentët e Luginës së Preshevës dhe të komunitetit pakicë.
Ndërkohë, në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” rezultatet e provimit pranuese do të shpallen deri më datë 26 korrik 2016 në fakultetet përkatëse, si dhe në ueb faqen e Universitetit www.uni-gjilan.net . Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, 48 orë pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati ankesat nuk do të pranohen. /2L ONLINE/