Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizoi një sesioni informues për Zyren e Erasmus+ në Kosovë. Ky aktivitet synoi të ofrojë një pasqyrë të detajuar mbi rregullat dhe procedurat e aplikimit në Programin Erasmus+, një mundësi unike për studentët dhe stafin akademik për të përfituar nga mobiliteti ndërkombëtar dhe bashkëpunimi akademik.
Në fjalët hyrëse, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, në UKZ, theksoi rëndësinë e përfshirjes në këtë program ndërkombëtar, duke vënë në pah dimensionin e tij gjithëpërfshirës për vitin 2025.
Mimika Dobroshi, Koordinatore e Zyrës Erasmus+ në Kosovë dhe Blerinë Zjaça Osmani, Zyrtare për Projekte, Zyra Erasmus+ në Kosovë njoftuan pjesëmarrësit për proceset e aplikimit, mundësitë e financimit dhe prezantuan rëndësinë e programit në aspekte kryesore, si:
Erasmus+ KA1: Shkëmbimet afatshkurtra për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), duke përfshirë shkëmbime studentësh dhe stafi për 1-2 semestra.
Erasmus Mundus Joint Masters: Programet e përbashkëta për studime të plota Master dhe masat për dizajnimin e tyre.
Erasmus+ KA2: Ndërtimi i kapaciteteve në arsimin e lartë, duke promovuar bashkëpunime ndërmjet institucioneve.
Jean Monnet: Iniciativat që promovojnë ekselencën në mësimdhënien dhe kërkimin për studimet evropiane.
Shkëmbimet Virtuale: Një qasje inovative në arsimin ndërkombëtar.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me mënyrën e aplikimit, opsionet e financimit dhe përfitimet që ofron programi Erasmus+.
Ky sesion përfshiu një hapësirë për pyetje dhe përgjigje, ku përfaqësues nga Zyra Erasmus+ ofruan këshilla praktike dhe informacione për të interesuarit.
Thirrja për aplikime për vitin 2025 është tashmë e hapur, duke ofruar mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të kenë eksperienca ndërkombëtare dhe të avancojnë karrierën e tyre akademike dhe profesionale. /2LONLINE/