Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u përurua libri “Enciklopedia Imagjinare” e autorit Prof. Dr. Bajram Kosumi.
Profesori i Fakultetit të Edukimit, Prof. Ass. Dr. Flamur Maloku hapi takimin letrar, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve, duke përcjellë edhe përshëndetjen e Rektorit të Universitetit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili për shkak të një udhëtimi zyrtar nuk ishte i pranishëm.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Merxhan Avdyli, shpalosi biografinë dhe veprimtarinë krijuese të autorit Porf. Dr. Bajram Kosumi.
Kritiku e studiuesi letrar, poeti Mehmetali Rexhepi paraqiti një vështrim kritik rreth librit. Sipas tij, libri në fjali ka një denduri të dhënash, duke paraqitur një mori emrash, vendesh, faktografi të shumta.
Sipas Mehmetali Rexhepi , ky libër në formë enciklopedie letrare paraqet një prozë dokumentare, me plot rrëfime e ngjarje reale, vrojtime të hollësishme nga syri objektiv i një narratori të kujdesshëm. Ai thotë se autori mëton të ngritë motive të reja nga dinamika e përditshmërisë; nga temat e të sotmes dhe të nesërmes së pritshme. Ai zbërthen e projekton kategoritë estetike; të mirën e të keqen, të bukurën e të madhërishmen, duke kërkuar vazhdimisht qasje e këndvështrime të reja filozofike e jetësore. Më pas filloi diskutimi letrar, ku të pranishmit paraqiten interesimet e tyre.
Profesori Flamur Maloku e cilësoi këtë libër-roman si të diskutueshëm sa i përket llojit zhanror. Ai shtroi dy pyetje; a i ka munguar prozës shqipe një lloj i tillë i librit dhe lexuesve, si dhe procesin e shkrimit. Autori Prof. Dr. Bajram Kosumi tha se me anë të këtij libri ka pasur qëllim që ky tekst të jetë për të gjithë lexuesit, të thjeshtë dhe atij të nivelit të lartë. Gjithashtu, ai rrëfen për idetë e para e nismën e të shkruarit të librit “Enciklopedia Imagjinare” gjatë kohës si i burgosur, në burgun e Nishit.
Misionin për ta shkruar këtë libër autori e sheh si mision jete, pas luftës së lirisë së shenjtë të Kosovës. Prof. Asoc. Dr. Nevrie Ismaili, përgëzoi autorin për botimin e kësaj kryevepre letrare, duke shtruar një pyetje autorit; a ke pasur vështirësi në gjetjen e dokumenteve historike, si dhe pse mungojnë 7 shkronja në këtë libër. Autori thotë se është shumë e vështirë të dallohet fakti imagjinar dhe fakti historik, që paraqet shumë interes edhe për lexuesin ndërthurja e reales dhe imagjinares.
Studentët paraqiten pyetje se pse ky libër është postroman, cilin lexues e kërkon ky libër, si dhe u interesuan rreth përvojës së autorit nga burgu.
Autori Kosumi, tha se Postroman është një fjalë e krijuar nga vet ai, si ngjizje e fjalës roman dhe modelit të romanit modern. Sipas autorit, burgu është një shpërfytyrim i njeriut, duke veçuar kohën e burgut si kohë e të menduarit filozofik, krijimit letrar për të.
Shkrimtari Hysen Këqiku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dega e Gjilanit, përgëzoi autorin për veprën madhështore, duke e cilësuar një dite feste për lexuesit dhe letërsinë shqipe botimi i kësaj vepre.
Hatixhe Gashi, studente e masterit në UKZ, u interesua rreth motivit për ta shkruar këtë libër dhe se cilin atribut ia jep veprës si enciklopedi apo si letërsi.
Autori thotë se ky libër nuk është krejtësisht si enciklopedi tipike shkencore, por mënyra e të ndërtuarit lidhet me një qasje të enciklopedisë shkencore. Një tjetër student ishte i interesuar të dijë se si është ndërtuar realiteti dhe pjesa e imagjinares në libër, derisa autori Prof. Dr. Bajram Kosumi tha se teksti fillon si lajm gazetar, por ka një ndërlidhje pastaj me historinë dhe letërsinë.
Në fund nga të pranishmit u tha se nisur nga ky prizëm, Prof. Dr. Bajram Kosumi nuk shkruan libër, por rrëfen për ngjarje e histori librash, të cilat janë rrëfime e nuk janë rrëfime. Si vepra “Enciklopedia Imagjinare” si vetë autori, duhen kuptuar brenda ideologjisë narrative e botëkuptimit narrativ, ashtu sikurse Borhesi, Eco, Markezi… /2LONLINE/