Në tre muajt e parë të vitit 2022, Klinika e Kirurgjisë Vaskulare në QKUK ka shënuar numër rekord të operacioneve, njofton Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Në këtë klinikë janë kryer 102 operime të venave varikoze, 14 endarterektomi të arteries karotide (hapja e enëve gjakut në qafë), 10 aneurizma të aortës abdominale, 25 urëzime arteriale (by pass) në gjymtyrë të poshtme dhe të sipërme dhe janë krijuar ose korrigjuar 70 fistula arteriovenoze për dializë.
Janë realizuar, gjithashtu, 99 ndërhyrje kirurgjike të llojeve te ndryshme. Disa prej këtyre operacioneve shume komplekse dhe jo të punuara më parë, janë: lëndime të aortës descendente (aorta torakale), ruptura spontane të venës cava ( qarje të venës kryesore të barkut ) dhe aneurizma të aortës me veshka harkore (ren arcuatum).
Në të njëjtën kohë, klinika ka hospitalizuar 350 pacientë dhe ka realizuar 1 mijë e 650 vizita ambulantore. /2LONLINE/