Në Teatrin e qytetit të Gjilanit, më 3 maj, u shfaq premiera e shfaqjes “Free-Zëra të padëgjuar”, me koncept dhe regji të Erson Zymberit, dramaturgji të Jeton Nezirajt, inspiruar në dramën “50 Shades of Gay”, mbështetur edhe në materiale të ndryshme dokumentuese e multizhanrore të masmedieve (reportazhe, intervista, lajme, kronika televizive, etj.), në kuadër të projektit “Zëra të padëgjuar-T’i rezistosh diskriminimit përmes artit”, ideuar nga Mediana Bislimi-Drejtoreshë dhe implementuar nga organizata CCNO-Center for cooperation and networking of organizations.
Projekti është financuar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.
Sipas Mediana Bislimit, projekti, lufton stereotipat, paragjykimet dhe diskriminimet e çdo lloji, e veçmas ato me bazë orientimin seksual e të ngjashme, duke e shfrytëzuar një medium gjithnjë e më të popullarizuar kundër gjuhës së urrejtjes, teatrit dokumentar, ku krijohet shfaqje teatrore, i plasohet publikut të gjerë, vizuelizohen përmes videove dhe bëhen tok në një dokumentar sensibilizues për liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë, pavarësisht moshës, gjinisë, seksit, orientimit seksual, etnisë, ngjyrës, vendbanimit, origjinës, statusit social etj.
Në performancen teatrore luajtën aktorët e Teatrit të Gjilanit si Tringa Hasani, Ernest Zymberi dhe Alban Shahiqi, si dhe Diva nga komuniteti LGBTIQ+, projekti i CCNO-së kishte tri objektiva kryesorë: vetëdijesim, inkluzion dhe përdorim tëteatrit të angazhuar politik, për paqe, barazi e drejtësi.
Shfaqja filloi dhe vazhdimisht u shoqërua me tingujt e instrumentit muzikor klasik, tingujt e të cilës magjepsën publikun në skenë-arenën, të luajtura me mjeshtri nga Arzie Jusufi. Pjesë e ekipit realizues ishin edhe: Leudita Hyseni për kostumet. Skenograf: Bekim Korça; Dizajni i dritave: Burim Baftiu, Fatmir Halili; Tonist: Alban Limoni; Rekuizitat: Suad Berisha; Teknikë skene: Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti.