/2L ONLINE/ – Me rastin e 110 vjetorit të Shkollës së parë shqipe në Kosovë, sot në Stubëll të Vitisë u mbajt Manifestimi Letrar, Kulturor e Shkencor “Takime e Dom Mikelit 2015”, ku morën pjesë përfaqësues nga jeta politike, kulturore e shoqërore, në mesin e tyre edhe zv.kryeministri i Kosovës njiherit ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi deputet të parlamentit të Kosovës e personalitete të tjera nga mbar trojet shqiptare.
Manifestimi i sivjetmë, filloi me himnin kombëtarë të intonuar nga Okteti i Ansamblit Kemajl Azizi nga Vitia, ndërsa takimet i shpalli të hapura e kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti duke vlerësuar Takimet e Dom Mikelit si një nga ngjarje më të rëndësishme jo vetëm për Vitinë por edhe gjithë Kosovën.
Ai theksoi se komuna e Vitisë në bashkëpunim edhe me institucionet qendrore po punon që të afirmoj manifestimin “Takimet e Dom Mikelit” dhe muzeut të shkollës së parë shqipe. Ndërsa zv.kryeministri i Kosovës, njiherit ministër i kulturës rinisë dhe sportit Kujtim Shala, në fjalën përshëndetëse tha se në kohën kur shqiptarëve të Kosovës u rrezikohej ekzistenca kulturore, shpirtërore e politike, takimet e Dom Mikelit luajtën rol të jashtëzakonshëm në rezistencën politike”.
Ai ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e qeverisë së Republikës së Kosovës rreth afirmimit dhe promovimit të vlerave kulturore. Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi, është shprehur në fjalën e tij se takimet e tilla na japin një mesazh për bashkimin e vlerave kulturore historike e arsimore në mënyrë që bashkërisht të i përballojmë sfidat në planin kombëtarë. Në kuadër të manifestimit ,,Takimet e Dom Mikelit,, u mbajt edhe një tribunë shkencore me temë “110 vjetori i shkollës së parë legalet shqipe në Kosovë”.
Me kumtesa në këtë tribunë u paraqitën prof. Pëllumb Xhufi nga qendra e studimeve albanologjike në Tiranë, prof. Gjon Berisha dhe prof. Lush Culaj nga Instituti albanologjik i Kosovës. Për ta begatuar këtë manifestim, është promovuar edhe monografia “Miqtë e mi në amshim” të autorit Dom Lush Gjergji, si dhe vepra “Arbënorët” e Gjon Berishës. Për të pranishmit është mbajtur edhe ora letrare në fushën e krijimtarisë në poezi në kuadër të së cilës janë paraqitur 25 poezi nga poet të ndryshëm nga gjithë hapësira shqiptare.
Juria profesionale ndau 3 shpërblime për 3 vendet e para. Vendi i parë i takoi Halil Matoshit me poezinë “Mërzia”, vendi i dytë i takoi poetit Rushit Ramabaja dhe vendi i tretë Myrvete Omanaj me poezinë “Enigma”.
Çmimet për fituesit e poezisë i ndau vëllai i dëshmorit Agim Ramadani, Jashar Ramadani . Për të pranishmit është dhënnë një program muzikor nga Filarmonia e Kosovë dhe Ansambli “Kemajl Azizi” nga Viti./2L ONLINE/