(2L ONLINE) – Në fshatin Stubëll të Epërme kanë filluar sot punimet në ndërtimin e kanalizimit të këtij fshati, projekt ky që financohet nga mjetet vetanake të Komunës së Vitisë dhe që kap vlerën e 222.422.00€.
Inaugurimin e fillimit të këtij projekti e ka bërë kreu i parë i kësaj Komune , Sokol Haliti me bashkëpunëtor dhe banorë të këtij lokaliteti. Duke folur në këtë solemnitet, kryetari Haliti u shpreh se ndihem më mirë se gjithherë kur ka të bëjë me fillim të punimeve të projekteve që kanë për qëllim mirëqenien e qytetarëve.
“Kjo është dëshmi se kemi filluar me i shndërrua fjalët në vepra. Ajo që na duhet natyrisht është që ti konkretizojmë planet që i kemi pasur drejt ndërtimit të infrastrukturës, makropojekteve që i kanë munguar këtij fshati kulturo historik e që meriton shumë më shumë dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritë të krijojmë një mundësi reale që vërtet të fillojmë dhe të realizojmë projekte më jetike dhe shumë të domosdoshme siç është kanalizimi, uji i pijes etj.
Kryetari Haliti ka përmendur edhe projektet tjera që janë në realizim dhe do të kryhen në të ardhmen në komunën e Vitisë, duke i dhënë hapësirë gjitha lokaliteteve pa dallime. Ndërkaq vet banorët e kanë mirëpritur projektin e ndërtimit të kanalizimit në këtë fshat.
Marjan Ramaj përfaqësues i fshatit Stubëll, ka theksuar se sot është ditë e veçantë për stubllasit, ngase po fillojmë një projekt jetik për këtë lokalitet, siç është rregullimi i rrjetit të kanalizimit, projekt ky me të cilin po mundohemi që të përmirësojmë kualitetin jetës së qytetarëve.
“Ne i jemi mirënjohës Institucioneve komunale të Vitisë për këtë projekt, ndërsa shpresojmë se do të realizojmë edhe shumë projekte të tjera në të ardhmen së bashku me komunën, siç është projekti i ujësjellësit që i mungon gjithashtu shumë fshatit tonë”, tha Ramaj.
Kurse Don Albert Jakaj, famullitar i kishës në Stubëll, tha se është kënaqësi që dora e komunës po ndjehet duke mbështetur projekte që kanë për qëllim mirëqenien e stubllasëve. “Mbështetja institucionale për funksionalizimin dhe rregullimin e muzeut të shkollës së parë shqipe, për të vazhduar edhe me projektin që sot po e fillojmë me ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, duke vazhduar më tej edhe me projekte të tjera, janë investime që përmirësojnë jetën e qytetarit, ruajnë kulturën tonë kombëtare dhe ndërtojnë të ardhmen e brezave të rinj.
“Ne u jemi mirënjohës donatorëve, mërgimtarëve tanë dhe gjithë atyre që po kontribuojnë për përmirësimin e infrastrukturës në Stubëll”, tha Jakaj.
Ndërkaq edhe banorët e këtij lokaliteti kanë mirëpritur këtë projekt duke theksuar se në fshatin e tyre nuk ka pasur që moti investime nga ana e Institucioneve Komunale. Për ndryshe ky projekt është dy vjeçar dhe financohet nga Komuna e Vitisë, ndërkaq vlera e saj është 222.422.00€./2L ONLINE/