Me një manifestim kulturo artistik, është shënuar sot në Skifteraj dita e shkollës, me që rast morën pjesë përfaqësues të Institucioneve komunale të Vitisë, përfaqësues nga Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si dhe mysafirë të tjerë.
Në orët e paradites, fillimisht janë bërë homazhe tek varri i dëshmorit “Kenan Halimi” në oborrin e shkollës, e më pas Manifestimi ka vazhduar me programin, ku me një fjalë rasti është paraqitur zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu dhe drejtoresha e Arsimit Fatbardha Emini.
Në emër të OVL-së foli kryetari i kësaj organizate Abdyl Bajrami, ndërsa historikun e shkollës drejtori i saj Milaim Misini.
Vepra e dëshmorit Kenan Halimi në 19 vjetorin e rënies së tij, u përkujtua në këtë manifestim, ku për biografinë e tij foli arsimtari Besnik Emërllahu.
Në shënimin e Ditës së Shkollës, drejtoria ka ndarë mirënjohje për kryetarin e komunës së Vitisë Sokol Halitin, si dhe për pjesëmarrësit e programit artistik.
Në fund u shfaq edhe një program i pasur me këngë, valle e recital të përgatitura nga nxënësit e kësaj shkolle, si dhe nxënës nga shkollat e Suharekës. Mysafirë special të manifestimit ishin anëtarët e SHKA “Jonuz Ramadani “ nga Smira që u paraqitën me disa valle burimore.