(2LONLINE) – Inspektorët komunal të Gjilanit përveç inspektimeve tjera këto ditë kanë bërë edhe inspektimin e furrave të bukës dhe se sipas të parit të inspeksionit në Gjilan, drejtorit komunal Ismet Hajdini, përpos peshës së bukës, po kontrollohen edhe mënyra e transportit, pasi ai thotë se nuk janë të rralla rastet, kur buka transportohet me gajba të bananeve, kur furrat që i furnizojnë shitoret i lënë ato para dyerve të shitoreve, apo edhe raste të tjera që nuk janë të lejuara, dhe se në këto raste bukët janë konfiskuar.
Hajdini ka bërë të ditur se kanë pasur një takim me furrtarë, të cilët i kanë njoftuar me të gjitha masat që do të ndërmerren dhe nga ta është kërkuara që të respektohen kushtet higjienike. Atyre u janë kërkuar edhe librezat sanitare të punëtorëve dhe është kërkuar që të respektojnë peshën strikte të bukës, që atë ta transportojnë në kushte të duhura higjienike, sikurse që është kërkuar gjithashtu që edhe transporti i miellit të bëhet në mënyrë adekuate.
Ai ka thënë se ka pasur raste kur kërkesat e tilla nuk janë respektuar, andaj inspeksioni ka qenë i detyruar që të ndërmarrë masa. Hajdini ka thënë se pos shqiptimit të dënimeve, në disa raste janë konfiskuar prodhime të miellit.
Përndryshe, në kohën e fushatës zgjedhore, për disa ditë buka ishte liruar prej 30 cent në 20 cent por se shumë shpejtë ishte shtrenjtuar sërish, për më tepër, ishte bërë 35 cent. Furrtarët këtë e arsyetojnë me çmimet që i dikton tregu, derisa qytetarët nuk kanë ndonjë sqarim përpos e vlerësojnë të pakuptimtë e ndoshta edhe një lojë që nuk i dhezi dikujt. /2lonline/