Sot në fshatin Sadovinë të Jerlive kanë filluar punimet në ndërtimin e fushës ndihmëse të futbollit. Me këtë rast kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Milot Lala kanë marrë pjesë në fillimin e këtyre punimeve.
Aty u mirëpritën jo vetëm nga banorët e këtij lokaliteti por edhe nga sportdashësit. Ky projekt po realizohet në kuadër të bashkëpunimit të Komunës së Vitisë me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti para fillimit të punimeve në ndërtimin e kësaj fushe ndihmëse të futbollit ndër tjerash ka falënderuar Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Federatën e Futbollit të Kosovës në veçanti ish presidentin e ndier të FFK-së, legjendën e futbollit Kosovar, Fadil Vokrri por edhe Agim Ademi, presidentin e tanishëm të i FFK-së që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti në komunën e Vitisë.
Kryetari Haliti po ashtu tha se kjo komunë në bashkëpunim me partnerët e saj po punon shumë në krijimin e hapësirave të mirëfillta për sportistët vitias duke përmendur se vetëm në një periudhë të shkurtë në komunën e Vitisë, kanë filluar punimet e ndryshme në sektorin e sportit si: stadiumi i qytetit të Vitisë, palestra sportive, rivitalizimi i stadiumit të Pozheranit tani edhe fusha ndihmëse në Sadovinë të Jerlive.
Ai tha se ata kanë punuar edhe në krijimin e fushave sportive në lokalitetet e ndryshme të kësaj komune. Kryetari Haliti tha se me realizimin e këtyre projekteve sportistët do të kenë hapësira më të mira për të stërvitur dhe të treguar sukseset e tyre.