“Vazhdojnë punët e mira në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm Gjilan ku muajt e fundit janë kryer disa operacione të komplikuara të tumorëve të zorrëve të holla dhe të zorrës së trashë me reseksion të tyre”, thuhet në postimin në faqen zyrtare të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
Më tej thuhet: Kanceri i zorrës së hollë është një sëmundje e rrallë në të cilën qelizat malinje (kancer) formohen në indet e zorrës së hollë.
Zorra e hollë është pjesë e sistemit tretës të trupit, i cili gjithashtu përfshin ezofagun, stomakun dhe zorrën e trashë.
Gjithashtu tumori i zorrës së trashë është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht gjithë murin e saj dhe përhapet lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit.
Intervenimet janë kryer nga ekipi i kirurgëve, anesteziologëve dhe stafit teknik të Spitalit. Është evidente që me ardhjen e dy kirurgëve të rinj në SPGJ, Dr.Arbër Morina dhe Dr.Alban Bislimaj është rritur gama e shërbimeve në repartin e kirurgjisë duke mbretëruar një frymë e punës dhe e bashkëpunimit e cila po sjellë dobi në cilësi dhe siguri të shërbimeve shëndetësore, thuhet në fund të njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit. /2LONLINE/