Më 17 Mars 2018, edhe në Regjionin e Gjilanit (Gjilan, Viti dhe Kamenicë) u mbajt me sukses Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” . Në këtë garë morën pjesë rreth 650 nxënës të klasave I-XII, nga Regjioni i Gjilanit. Gara u organizua nga Instituti ,,Atomi” në Prishtinë, me përkrahje nga MASHT-i.
Shkruan: FESTIM SHKODRA, koordinator i Rajonit të Gjilanit
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” mbahet njëkohësiht në mbarë botën, për dhjetëra vite me rradhë. Në këtë garë marrin pjesë nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në kategori sipas klasave: Fillestarët (kl. I-II), Fatosët (kl. III-IV) , Pionierët (kl. V-VI), Kadetët (kl. VII-VIII) , Juniorët (kl. IX-X) dhe Seniorët (kl. XI-XII). Të drejtën e pjesëmarrjes e kanë të gjithë nxënësit e këtyre klasave, pa marrë parasysh suksesin që kanë në lëndën e matematikës apo në përgjithësi. Ata ju nënshtrohen të njëjtave teste në tërë botën varësisht prej kategorive që iu takojnë. Kjo garë sivjet u organizua në mbi 80 shtete të botës, ku morën pjesë mbi gjashtë milionë nxënës. Kjo është gara ndërkombëtare më e popullarizuar e matematikës si dhe gara më e madhe e dijes për nxënës, që organizohet në botë. Prandaj kjo garë është një mundësi e mirë që edhe nxënësit e Kosovës ta kenë këtë përvojë si bashkëmoshatarët e tyre në mbarë botën, duke u sprovuar në teste të njëjta nga matematika.
Republika e Kosovës sivjet mori pjesë për herë të dytë në këtë garë, me të drejta të plota. Gara në Kosovë u organizua nga Instituti Ndërkombëtar ,,Atomi” në Prishtinë dhe u përkrah edhe nga MASHT-i. Kjo garë u mbajt më 17 Mars 2018 në tërë Kosovën. Koordinator për organizimin e kësaj gare në nivel të Republikës së Kosovës është Valmir Krasniqi. Në kuadër të kësaj gare, sivjet në Kosovë morën pjesë rreth 6000 nxënës. Pra numri i pjesëmarrësve në këtë garë sivjet ishte shumë më i madh se sa në vitin e kaluar, gjegjësisht për rreth 50 %. Kjo është gara më e madhe e dijes, e organizuar ndonjëherë në Kosovë. Kështu edhe matematikanët e Kosovës, po e afirmojnë shtetin tonë në shkallë botërore.
Gara Ndërkombëtare e Matematikës ,,Kenguri pa kufi” u organizua edhe në Regjionin e Gjilanit, ku morën pjesë mbi 650 nxënës. Gara u mbajt në Gjilan, ku morën pjesë rreth 300 nxënës, në Viti ku morën pjesë rreth 200 nxënës dhe Kamenicë ku morën pjesë rreth 150 nxënës. Koordinator i Regjionit të Gjilanit dhe njëkohësisht i Komunës së Gjilanit për këtë garë ishte Festim Shkodra. Në Viti koodinator komunal ishte Habib Rexhepi, ndërsa në Kamenicë koordinator komunal ishte Agim Maliqi. Organizimi me sukses i garës në këtë regjion u bë nën udhëheqjen e Institutit ,,Atomi” në Prishtinë dhe falë punës së madhe të koordinatorëve, bashkëpunimit të mire me DKA-të e komunave përkatëse, drejtoritë e shkollave në këto komuna si dhe mësimdhënësit e atyre shkollave.
Promovimin medial të kësaj gare në regjionin e Gjilanit e bëri me mjaft sukses “TV VALI” nga Gjilani, por gjithashtu vlejnë të përmenden edhe promovimet e garës në përgjithësi në nivel të shtetit të bëra nga TV publike: “TV KOHA”, “Klan Kosova”, “Tribuna” etj. Kompania vendore “FLUIDI-RC COLA”, siguroi nga një pije, për të gjithë pjesëmarrësit dhe stafet punuese të garës në Regjionin e Gjilanit.
Në hapjen e kësaj gare, në disa nga komunat e këtij regjioni morën pjesë edhe drejtorët e DKA-ve të tyre dhe mysafirë të tjerë të rastit. Nga të gjithë u përmend rëndësia e kësaj gare për nxënësit tanë dhe vendin tonë në përgjithësi. Nga koordinatoorët e komunave u tha se qëllimi kryesor i kësaj ngjarje është pos tjerash popullarizimi i matematikës në mesin tonë. Kjo garë tregon se matematika mund të jetë njëkohësisht sa sfiduese edhe praktike dhe argëtuese. Por rëndësia e madhe e Garës Ndërkombëtare ,,Kenguri pa kufi”, qëndron edhe në faktin se ajo po i then kufijtë midis shteteve dhe midis nxënësve, sepse ju mundëson pjesëmarrjen e lirë të të gjithëve. Kështu Kosova u bë pjesë e barabartë e botës në këtë lëmi.
Testet e garës janë përgatitur nga një komision ndërkombëtar i ngritur nga Asociacioni Ndërkombëtar ,,Kenguri Pa Kufi” me seli në Paris dhe kontrollohen në mënyrë elektronike nëpër shtetet prej nga vijnë nxënësit. Detyrat e garës dhe zgjidhjet e tyre publikohen në muajin prill. Për rezultatet e kësaj gare pjesëmarrësit do të informohen gjatë muajit prill 2018 në faqen e internetit dhe faqen e facebookut të Garës Kangaroo në Kosovë, me ç’rast të gjithë të testuarit do të informohen për detajet se “ku” dhe “kur” mund ta marrin Certifikatën e pjesëmarrjes dhe Dëshminë e rezultatit të arritur në Garën Kangaroo 2018 (meqë rezultatet individuale nuk do të shpallen publikisht, në mënyrë që të ruhet privatësia e pjesëmarrësve). Ndërsa më të suksesshmit shpallen publikisht. Të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare në Kosovë do t’iu jepen certifikata të njohura ndërkombëtarisht, ku pasqyrohet suksesi i arritur nga secili nxënës.
Gara Kangaroo ka për qëllim promovimin e matematikës dhe rëndësisë së saj në gjithë botën. Veç kësaj, Instituti ATOMI e përdorë Garën Kangaroo për të identifikuar talentet e rinj në fushën e matematikës në Kosovë, në mënyrë që të ofrojë aktivitete dhe shërbime të ndryshme përkrahëse për këto talente në funksion të zhvillimit dhe avancimit maksimal të talentit, njohurisë dhe kompetencës së tyre në fushën e matematikës, posaçërisht duke ofruar kurse të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës dhe qasje në literaturë të avancuar të matematikës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë.
Për më të dalluarit në nivel të shtetit, do të sigurohen edhe shpërblime të ndryshme varësisht nga mundësitë.
Suksese të gjithë pjesëmarrësve të kësaj gare!