Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me kryetarin e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Fehmi Rexhepi, kanë bërë zbulimin e bustit të heroit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, i cili u vendos para Kuvendit Komunal të të Gjilanit.
“Në ky vend, heroi më i madh i yni si figura me e çmueshme kombëtare, do të kujtohet përjetë nga gjeneratat e tashme dhe të ardhshme. Sot ne përkujtojmë edhe 50-vjetorin e madh kur nahia e Gjilanit dhe krejt Kosova u kryengritën për flamurin e Skënderbeut, e drejt e cila u realizua shumë më vonë”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri, pas zbulimit të bustit.
Po ashtu, kreu i Gjilanit në këtë ngjarje ka përkujtuar edhe Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, për të cilët tha se na mësuan se si luftohet për të fituar lirinë.
“Ndërsa, në përvjetorin e vrasjes, sot ne përkujtojmë edhe Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe të gjithë dëshmorët e heronjtë të cilët u sakrifikuan për lirinë e shqiptarëve. Në kuadër të Flakës së Janarit, ne ndihemi krenarë me ta dhe do të vazhdojmë t’i respektojmë, nderojmë dhe të frymzohemi nga veprat e tyre se si duhet të luftohet për të fituar lirinë. Lavdi e përjetshme jetes dhe vepres së tyre!”, ka thënë Haziri.
Ndryshe, busti i Skënderbeut është vendosur me iniciativë të kryetarit të Gjilanit, ndërkaq e ka punuar skuptori, Jetullah Haliti – Eti.