Në prag te festës së Fitër Bajramit, Komuna e Gjilanit ka inaguruar dy shtëpi të renovuara nga fondi i grumbulluar në gala mbrëmjen humanitare “Pak nga ne shumë për ata”, përkatësisht për familjen Afrim Jasharit dhe atë të Ramadan Milazimit.
Kryetari Haziri, gjatë vizitës në dy nga familjet përfituese të renovimit të shtëpive, ka thënë se ky është vetëm një shembull që së bashku me donatorët, me mbështetjen e mërgatës dhe me mjetet e shtetit, mund të arrihet zgjidhja e problemit të banimit.
“Jemi në shtëpinë e cila është ndërtuar nga donatori Ismail Aliu, nga Zhegra, i cili për këtë familje ka investuar ndërtimin e vrazhdë, ndërsa pjesën tjetër e ka investuar Komuna e Gjilanit nga fondi i grumbulluar në mbrëmjen humanitare “Pak nga ne shumë për ata”. Kjo familje do ta pres festën e Bajramit në shtëpi të re, me gëzim dhe sofrën plotë sepse kulmi mbi kokë është siguruar, krahas edhe 43 familjeve të tjera që kanë përfituar ndërtimin e shtëpive, tri të tjerat që janë në proces dhe po paguajmë qera për 40 familje të tjera, sikur që kemi edhe 12 shtëpi të tjera në renovim në kuadër të kësaj kategorie”, ka thënë kryetari Haziri, duke potencuar se dhurata më e mirë sot është ta ndihmosh një familje të tillë.
Kryetari Haziri poashtu ka pohuar se angazhimi i tij do të vazhdoj edhe më tutje, deri në uljen në pikën zero të problemit të banimit dhe rasteve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
Kurse Afrim Jashari, përfitues i shtëpisë tashmë të kompletuar, ka falënderuar donatorin Ismail Aliun dhe Komunën e Gjilanit për gjitha investimet, që ai sot të bëhet me shtëpi të re.
“Faleminderit donatorit Ismail Aliu dhe Komunës së Gjilanit e në veçanti kryetarit Haziri, që më bënë me shtëpi sikur gjithë qytetarët e Gjilanit. Unë dhe familja ime jemi shumë të kënaqur, besoj shumë që edhe të tjerët të jenë të kënaqur dhe të gëzohen një ditë sikur unë sot”, ka thënë mes tjerash ai.