(2L ONLINE) – Me qëllim të planifikimit të kornizës buxhetore për periudhën 2015-2017, Udhëheqësit e Institucioneve Komunale të Vitisë konkretisht zv. Kryetari i kësaj komune, Hasan Aliu dhe Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Ramiqi me bashkëpunëtor kanë mbajtur dje diskutimet publike në fshatrat Pozheran dhe Zhiti .
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu duke folur rreth procesit të planifikimit të kornizës buxhetore për vitet në vijim tha se Komuna e Vitisë është e përkushtuar që të bënë një planifikim të duhur të buxhetit edhe pse mjetet buxhetore janë të kufizuara.
“ Nevojat për investime në të gjitha lokalitet janë të mëdha por mundësitë buxhetore janë të vogla, duke u bazuar në këtë ne jemi duke shikuar që të bëjmë një ndarje proporcionale të buxhetit me qëllim të investojmë në të gjitha lokalitetet e komunës sonë” u shpreh Aliu.
Ndërkaq Drejtori për Ekonomi dhe Financa Ibrahim Ramiqi duke folur rreth investimeve që parashihen të bëhen në vitin 2015 në fshatin Pozheran tha se komuna ka paraparë 6 projekte. “ Për vitin në vijim kemi paraparë që në Pozheran të vazhdojmë me fazën e dytë të ndërtimit të Ambulantes, të ndërtojmë parkun e fshatit, të bëjmë kyçjen me kanalizim të disa lagjeve, asfaltimin e disa rrugëve, shtruarjen me zhavorr të rrugës fushore dhe të vazhdojmë me ndriçimin publik për brenda fshatit” tha Ramiqi.
Përndryshe gjatë këtij takimi Pozheranasit kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre për investime por ata u shprehen të kënaqur pasi që shumica e kërkesave të tyre korrespondonin me listën të cilat institucionet komunale kanë paraparë për investime gjatë vitit 2015 në këtë fshat.
Pas këtij takimi ata kanë vazhduar me diskutimin publik në fshatin Zhiti duke i njoftuar banorët rreth procesit të planifikimit të buxhetit komunal, rëndësia që ka shkalla e inkasimit të tatimit në përcaktimin e investimeve kapitale në një lokalitet të caktuar.
Megjithatë zv. Kryetari Aliu dhe Drejtori Ramiqi me bashkëpunëtor i njoftuan banorët e fshatit Zhiti se për vitin në vijim për këtë fshat është paraparë asfaltimi i rrugës Kllokot-Zhiti, projekt ky që gjeti përkrahjen edhe nga vet banorët e këtij fshati por ata parashtruan edhe disa nevojat e tjera./2L ONLINE/