Në organizim të Komisionit Evropian dhe Seksionit të programit ERASMUS+, në Kotor të Malit të Zi, po zhvillohet punëtori mes menaxhmentit të Universiteteve pjesëmarrëse të projektit EVIVA-Erasmus+.
Nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i cili është pjesë e projektit E-Viva, po marrin pjesë Rektori Prof. Dr. Bajram Kosumi së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka.
Gjatë takimeve atje, është diskutuar për të arriturat e projektit, defektet si dhe punët që priten të kryhen deri në fund të projekti E-Viva, e po ashtu temë diskutimi është edhe aplikimet e reja në kuadër të thirrjes së radhës në programin Erasmus+.
Ndërkohë Agjencia Ekzekutive e Komisionit Evropian ka aprovuar kërkesën për shtyrjen e afatit të implementimit të projektit, me qëllim që realizimi i gjithë objektivave të shkoj ashtu siç është parashikuar.
Në kuadër të projektit E-Viva, vitin e ardhshëm do të realizohet shkëmbimi studentor, i cili është vonuar për shkak të pandemisë COVID-19, ku dhjetë studentë të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, do të shkojnë në Universitetin “Nëna Terezë” në Shkup, për tu trajnuar në fushën që mbulon projekti.
Ndryshe, projekti EVIVA ka të bëjë me metodat e reja të të mësuarit në Institucionet e Arsimit të Lartë me qëllim të ngritjes së kompetencave dhe njohurive për edukim sa më cilësor.
Ky është një projekt i financuar nga BE /Erasmus + me 16 partnerë, për një kohëzgjatje prej tre vjetësh.
Partneriteti përbëhet nga universitete nga BE dhe Ballkani Perëndimor si: Unternehmensberatung GmbH (Austria), Blended learning institutions’ cooperative / blinc eG (Germany), Universiteti i Duisburg Essen / UDE (Gjermani), Universiteti Nova de Lisboa (Portugali), Universiteti i Malit të Zi, Universiteti i Donja Gorica, Universiteti Evropian i Tiranës, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Ss. Universiteti i Kirilit dhe Metodit, Universiteti Nënë Tereza, Universiteti i Sarajevës, Shkolla e Shkencës dhe Teknologjisë në Sarajevë (SSST), Universiteti “Kadri Zeka” Gjilan, Kolegji Universum, Universiteti i Nishit dhe Universiteti i Novi Sadit. /2LONLINE.com/