Situata aktuale epidemiologjike në komunën e Vitisë është stabile dhe e menaxhueshme, u tha në takimin e rregullt të Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Viti.
Gjatë 24 orëve të fundit, nuk ka pasur raste të reja me Covid 19, ndërkohë që u bë e ditur se numri i të shëruarve është në rritje.
Aktualisht, numri i rasteve aktive është 32.
Kryetari i komunës Sokol Haliti, theksoi se është duke u menaxhuar situata suksesshëm nga të gjitha instancat dhe numri në rënie i të infektuarëve është shpresëdhënës.
Komandanti i stacionit policor në Viti, kapiten Afrim Halili, tha se janë të angazhuar që të përcjellin situatën dhe se nuk ka pasur ndonjë incident apo mos respektim të masave nga ana e qytetarëve që duhet veçuar.
Ndërkohë nga Drejtoria e Arsimit, u raportua se mësimi po zhvillohet në suaza normale dhe sot ka filluar edhe faza e dytë e mësimit për disa klasë që nuk patën filluar para një jave.