Respektimi i masave kundër përhapjes së virusit pandemik COVID-19, konkretisht të bartjes së masave mbrojtëse është në nivel të kënaqshme në komunën e Vitisë.
Kjo u bë me dije sot gjatë takimit të Komiteti Komunal për Mbrojtjen dhe Shpëtim.
Gjatë këtij takimi u theksua se në komunën e Vitisë, janë akoma 82 raste aktive të qytetarëve vitias të prekur më virusin COVID-19.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur për menaxhimin e kësaj situate në këtë komunë.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë me respektimin e masave pasi që kjo është në interes të shëndetit publik.
Kurse Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili, potencoi se policia në Viti në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin po përkujdeset për zbatimin e masave mbrojtëse dhe po vazhdon me lëshimin e fletëparaqitjeve për personat të cilët nuk zbatojnë masat anti-covid.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zv/kryetarja e Komunës së Kllokotit, Selvije Rexhepi me bashkëpunëtorin e saj Përparim Rexhepi. Ajo në këtë takim ka falënderuar Vitinë për mbështetjen në kohën e pandemisë, në veçanti edhe për trajtimin që po ju bëhet pacienteve të kësaj komune në QKMF-në e Vitisë.
Ajo potencoi se Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, duhet të përkrah më shumë Vitinë, pasi që shumë qytetarë të komunës së Kllokotit marrin shërbime shëndetësore në këtë komunë.
Ndërkaq kryetari Haliti, potencoi se lufta ndaj virusit pandemik COVID-19 është një luftë e përbashkët dhe që nuk njeh kufij administrative apo çfarëdo dallimi tjetër.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Viti, Hanife Jonuzi tha se shqetësuese për Vitinë janë rastet e fundit të vdekjeve të qytetarëve të saj si pasojë e këtij virusi duke iu bërë thirrje qytetarëve për kujdes.