Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga Bekë Berisha, kryetar i komisionit, raportoi ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, lidhur me raportin vjetor të punës, për vitin 2022.
Mehaj gjatë prezantimit të tij lidhur me aktivitetet e tyre gjatë vitit 2022 dhe për të arriturat kryesore, tha se përmbushja e këtyre objektivave padyshim se ka të bëj edhe me ndarjen e buxhetit, që për vitin 2022 ishte në vlerë prej 102.3 milionë euro, apo 35 për qind, vlerë më e lartë sesa në vitin paraprak.
Duke falënderuar me këtë rast Komisionin për mbështetjen, Mehaj tha se më shumë buxhet për ministrinë do të thotë shumë më shumë siguri për qytetarët tanë dhe më shumë investime në burrat e gratë që bartin uniformën e ushtrisë.
Tutje, ai foli edhe lidhur me avancimin që është bërë në fushën e legjislacionit, duke përmendur kështu plotësim-ndryshimin e tri ligjeve për Ministrinë dhe FSK-në. Ai vlerësoi se me ndryshimin e këtyre ligjeve është bërë një hap i rëndësishëm për ushtrinë e Republikës së Kosovës. Ndërsa, duke përmendur edhe hartimin e ligjit për Komisionerin dhe atë për policinë ushtarake, Mehaj potencoi se tashmë është krijuar baza e duhur ligjore.
Tuje ai njoftoi se gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 840 ushtarë të rinj dhe se kanë hartuar edhe strategjinë e sigurisë. Ai po ashtu foli edhe për pjesëmarrjen e Kosovës në “Defender 2023”.
Gjatë fjalës së tij para Komisionit, Mehaj shtoi se synim mbetet anëtarësimi në NATO.
“Synimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe ofrimi i kontributit tonë si shtet në sigurinë e rajonit dhe me gjerë, me pjesëmarrje në misione ndërkombëtare”, tha ai, duke përmendur po ashtu edhe faktin se janë duke u angazhuar që si lëndë shkollore nëpër shkolla të jetë Edukimi për Siguri, në mënyrë që të inkurajohen të rinjtë e Kosovës t’i bashkohen ushtrisë.
Anëtarët e Komisionit: Mefail Bajqinovci, Arbër Rexhaj, Enver Dugolli, Rashit Qalaj, Anton Quni, Fatmir Humolli e Erxhan Galushi, kërkuan sqarime shtesë nga ministri Mehaj. Me theks të veçantë, ata kërkuan informata lidhur me vlerën e blerjes së armatimit, rastet e sukseseve të kadetëve, lidhur më çështjen e shërbimit të obligueshëm ushtarak, numrin e pjesëtarëve të FSK-së të cilët kanë lëshuar FSK-në, lidhur me çështjen e komuniteteve tjera në FSK, projektet kapitale, gradimet, etj.
Një pjesë e këtij takimi vazhdoi i mbyllur për media. /2LONLINE/