Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, sot u mbajt ceremonia e certifikimit dhe betimit e 311 ushtarëve të rinj të FSK-së.
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë tjerë të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjeneralë, oficerë e zyrtarë tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së, si dhe familjarë dhe të ftuar të tjerë.
Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, Ministri Mehaj theksoi se grupi i certifikuar sot është i veçantë sepse janë grupi më i madh që është certifikuar ndonjëherë në FSK, pra gjithsej 311.
“Sot kur po përmbyllim me sukses këtë proces të rekrutimit, ju njoftoj që ne 28 nëntor do të hapim konkursin e ri për pranimin e 612 ushtarëve aktivë dhe 376 ushtarëve rezervë. Kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme për të zhvilluar edhe më tutje Ushtrinë tonë dhe për të forcuar kapacitetet tona në mbrojtje të vendit dhe për garantim të paqes”, tha Ministri Mehaj me këtë rast, duke shtuar se garantimi i paqes, kërkon përgatitje të lartë, si dhe ngritje të kapaciteteve operacionale dhe profesionale.
Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Ushtria e Kosovës është e shtetit dhe e popullit, e cila ka synim integrimin në NATO.
“Orientimi ynë është i qartë. Ne duam të jemi pjesë e NATO-s, aleancës më të fuqishme të botës e cila i përfshiu shtetet demokratike. Ne nuk jemi shtet që kemi pretendime territoriale, ne jemi Republikë Demokratike”, tha Kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se shteti ynë është i barabartë për të gjithë qytetarët tanë pa dallim etnie, gjinie feja apo përkatësive.
Zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe stërvitjes kolonel, Mehmet Lladrovci, tha se 311 rekrutët e rinj me sukses kanë arritur ta përfundojnë trajnimin bazik, duke marrë edhe zyrtarisht statusin “Ushtar i Kosovës”.
Ushtarët e rinj janë aseti i ri i FSK-së, në kuadër të aftësive dhe kapaciteteve operacionale, të cilët do të fillojnë karrierën e tyre në FSK, si ushtarë profesionistë në shërbim të realizimit të detyrave ligjore. /2LONLINE/