Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural (DBPZHR) bënë me dije se procesi i korrje-shirjeve në Komunën e Kamenicës ka filluar që nga data 06 Korrik me korrjen e parcelave të mbjella me kulturën e Elbit, ndërsa më datë 09 Korrik ka filluar edhe korrje–shirja e sipërfaqeve të mbjella me kulturën e Grurit.
Sipas DBPZHR-së gjatë këtij viti pritet të korren rreth 1,100 ha me Grurë, 40 ha me Elb, 50 ha me Tërshërë dhe 40 ha me Trotikal. Kurse sa i përket procesit të korrje – shirjeve këtë vit do të marrin pjesë rreth 33 Autokombajna.
Nga kjo drejtori njoftojnë se sipas të dhënave nga fermerët, janë korrur rreth 385 ha. me Grurë (apo 35 %), kurse me Elb është korrur e tërë sipërfaqja që ka qenë e planifikuar për t’u realizuar për këtë vit me 40 ha.
Ndërsa Komisioni Komunal për korrje-shirje fillimisht ka bërë pranimin teknik të Autokombajnave ku më pas i ka pajisur me leje për korrje-shirje dhe ky komision do ta përcjell këtë proces që nga fillimi e deri në përfundim dhe se vëmendje të posaqshme do t`i kushtohet humbjeve gjatë procesit të korrjes që ato të jenë sa ma të vogla, mbajtjen e rendit si dhe marrjen e masave parandaluese kundër zjarrit.
Komisioni njofton se sa i përket rendimentit të kulturave këtë vit është shumë më i mirë se nga viti i kaluar, sepse këtë vit kanë qenë kushtet atmosferike shumë më të mira.
“Pas informatave nga tereni, dhe varësisht nga parcelat e fermerëve, këtë vit rendimentet sillen rreth 4,000 -4,200 kg./ha për Grurë, kurse te Elbi është 3,200 kg./ha. Ne shpresojmë që kjo fushatë e korrje-shirjeve do të rrjedhë pa ndonjë problem të theksuar. Ne si komision i korrje–shirjeve, jemi duke u përpjekur që me përpikëri ta zbatojmë Rregulloren Komunale mbi korrje – shirjet.
Procesi i korrje – shirjeve këtë vit ka filluar mbarë dhe kushtet klimatike janë shumë të favorshme për korrje”, thuhet në njoftimin e Komisionit Komunal. /2LONLINE/