(2L ONLINE) – Në Bibliotekën e qytetit të Gjilanit, në sektorin e huazimit të librave për të vegjël dhe të rinj, përveç që po bie numri i anëtarëve të regjistruar dhe i librave të lexuara për çdo vit, aty janë në hall të madh edhe me faktin se një pjesë e lexuesve që kanë huazuar libra, nuk po i kthejnë ato.
Ky problem, sipas drejtuesve të këtij sektori, është që nga paslufta e këndej pothuajse për çdo vit i përsëritshëm, sa që ka bërë që prej vitit 1999 e deri më 2013 të jenë afër 5 mijë libra që nuk janë kthyer nga lexuesit e vegjël, e kur këtë ja shtojmë edhe të dhënën se edhe përgjatë këtij viti ka të tillë, atëherë kjo shifër tejkalon numrin 5 mijë.
Drejtuesit e Bibliotekës, por edhe të këtij sektori në veçanti, kërkojnë nga lexuesit të bëhen të ndërgjegjshëm dhe t’i kthejnë librat që i kanë huazuar dikur, dhe për këtë ata thonë se nuk do të ketë ndonjë ndëshkim që do të aplikohet ndaj tyre. Por vetëm kërkohet, t’i kthejnë ato libra që të mund të jenë në dispozicion për lexues të tjerë. Në të kundërtën nëse këto apele nuk bëjnë punë, si masë që do të ndërmerret mund të jetë edhe bërja publike e emrave, e të gjithë atyre lexueseve të pandërgjegjshëm, për të kaluar më pastaj edhe në ndonjë veprim tjerë ligjor.
Shaban Rexhepi, bibliotekar në sektorin e huazimit të librit për fëmijë dhe të rinj, ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se përgjatë 15 viteve sa ka punuar në këtë sektor ka ndjerë kënaqësi të madhe me lexuesit e vegjël dhe të rinj që kanë frekuentuar, huazuar dhe lexuar libra të ndryshëm, por se ka momente edhe kur ndihet i shqetësuar nga fakti që numri i lexueseve po bie pothuajse për çdo vit, por mbi të gjitha, për atë se ka edhe të tillë që janë treguar të papërgjegjshëm dhe nuk po i kthejnë librat që po i huazojnë. E të tillë, sipas tij, ka që nga viti 1999.
E, deri sa bashkëbisedonim me bibliotekistin, shkollarë të ndryshëm vinin dhe huazonin libra të ndryshëm. Mes tyre ishte edhe Klodiana Abdullahu, nxënëse e klasës së katërtë e shkollës fillore “Thimi Mitko”. Ajo tha për 2L ONLINE, se i pëlqen të lexon shumë, e do Naim Frashërin por edhe autor të tjerë. Ajo thotë se është e përgjegjshme në kthimin e librave të huazuara dhe porositë edhe bashkëmoshatarët e saj që të bëjnë të njëjtën gjë.
Klodiana është nxënëse e shkëlqyer dhe përveç leximit të lekturave shkollore, thotë se i pëlqen shumë edhe matematika. Ajo thotë se e frekuenton bibliotekën shpesh dhe kënaqet me librat që i huazon, i lexon dhe më pas i kthen për të marrë të tjera libra. Ajo thotë se nuk i kupton të tjerët, pse nuk po i kthejnë librat e huazuar dhe i lut ata ta bëjnë një gjë të tillë, sepse mund të mungojë ndonjë libër i pakthyer për të cilën ajo apo dikush tjetër është i interesuar ta lexojë.
Ndryshe, kur shohim listat që i kanë sistemuar drejtues të këtij sektori me plotë emra dhe kohën e marrjes së librave që nuk janë kthyer, shohim se bashkëmoshatarë të Klodianës ka pas edhe në vitin 1999, që kishin huazuar libër, por që nuk i kanë kthyer akoma edhe sot, ndonëse të tillët tani mund të jenë edhe 25 vjeçar!
Shaban Rexhepi, bibliotekar në këtë sektor vazhdon të shpreson se librat do t’i kthehen këtij sektori, ndërsa sa i përket rënies së anëtarësisë apo lexueshmërisë së librave, ai fajtor bënë edhe internetin i cili pothuajse është në çdo shtëpi dhe të vegjlit e të rinj, kalojnë tepër kohë në të, për çka ai apelon tek prindërit që të kenë kontroll mbi këtë.
Përndryshe, Rexhepi thotë se aktualisht në këtë sektor janë të regjistruar gjerë më sot 878 anëtarë, ndërsa kujton vitin 2002 që ishte dalluar për numrin më të madh të anëtarëve të regjistruar (2308 sosh). apo edhe vitin 2007, kur ka pas më së shumti libra të huazuara, 25 mijë e 412.
Ndërkohë, që për librat që nuk po kthehen ai ka kërkuar ndihmë edhe nga drejtorët e shkollave, sepse ata që kanë huazuar janë nxënës të këtyre shkollave dhe me një gatishmëri të drejtorëve apo mësimdhënësve, mund të keltë rezultate pozitive në këtë drejtim.
Përndryshe, ai ka kërkuar edhe kushte më të mira për këtë sektor. Një hapësirë më adekuate. Momentalisht aty ka hapësirë për rreth 50 vetë, por që për shkak të hapësirës së limituar që ka biblioteka e qytetit, si tërësi, këtë hapësirë e shfrytëzojnë edhe studentët.
Përndryshe, me problemin e moskthimit të librave të huazuara përballen edhe sektorët tjerë të Bibliotekës së Qytetit të Gjilanit. /2L ONLINE/