Komuna e Gjilanit nëpërmjet Zyrës për barazi gjinore dhe me përkrahje të Zyrës Rajonale të OSBE-së, ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, në ngjarjen me temën “Barazia gjinore dhe profesionet”, ku i pranishëm ishte edhe kreu i Komunës, Alban Hyseni, sikurse edhe një numër i madh vajzave të shkollave të mesme.
Kryetari Hyseni ka thënë me këtë rast se vajzat duhet të jenë konkurrente në të njëjtën fushë e lëmi, në formë të barabartë me djemtë.
Për më tepër, ai tha se duhet të përmendet fondi për ndërmarrësit e rinj, që nënkupton që Komuna nëpërmjet thirrjes publike do të financojë idetë e reja për biznese në mënyrë që të rinjtë e në këtë rast edhe vajzat, mund të kenë një mundësi shtesë që idetë e tyre inovative dhe kreative t’i jetësojnë përmes ndihmës nga ana e Komunës.
“Sot duhet të flasim për avancimin e pozicionit të gruas në përgjithësi, por edhe të vajzave dhe të rejave në veçanti. Buxhetimin gjinor Komuna e Gjilanit e ka filluar në dëgjimin e parë publik për hartimin e buxhetit për vitin 2023, ku edhe si Komunë jemi përzgjedhur nga OSBE si një prej shembujve të mirë. Përmes përpilimit të buxhetit 2023 kemi filluar me disa mekanzima për të rinjtë dhe të rejat”, ka thënë kryetari Hyseni.
Përfaqësuesja e Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, Sadete Tërnava – Osmani, ka thënë se kjo ditë ka hyrë në agjendën e Kombeve të Bashkuara para dhjetë vjetësh, e cila sot shënohet nga të gjitha vendet e botës me inovacione të ndryshme, nga nevoja që gratë dhe përgjithësisht vajzat, nuk janë të përfshira të gjitha në sferën e zhvillimit ekonomik.
Në këtë takim ka folur edhe nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, e cila ka uruar vajzat, duke thënë se Dita Ndërkombëtare e Vajzave synon që të ndërgjegjësoj dhe të sjell zgjidhje për sfidat unike me të cilat përballen çdo ditë vajzat në mbarë botën.
Zyrtarja për Barazi Gjinore, Linditë Salihu, tha se me pjesëmarrjen e madhe të vajzave të shkollave të mesme është një mundësi e mirë diskutimi për temën, duke shtuar se “është koha që si shoqëri të reflektojmë, të bëjmë analiza, të identifikohen shkaktarët dhe të punohet së bashku në eliminimin e pabarazive dhe stereotipeve gjinore”.
Për mundësitë dhe profesionet e përbashkëta në mes të dy gjinive, në këtë takim ka folur dhe ka treguar përvojën e saj edhe prof. dr. Linditë Nebiu – Hyseni. /2LONLINE/