(2LONLINE) – Të dielën mbrëma, me tu kuptuar rezultatet preliminare të para që nxirrnin në epërsi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), për zgjedhjet nacionale, rrugëve të qytetit të Gjilanit defilonin automjete të ndryshme me flamuj të PDK-së, të Misionit të Ri, ndërsa para teatrit të Qyteti u grumbulluan mbështetësitë e këtij subjekti për të festuar me këngë e valle.
Sot në Gjilan sërish po festohet. Skenar i njëjtë, automjete në qarkullim me flamuj, e para teatrit po grumbullohen njerëz që po festojnë me valle e këngë. Por, për dallim prej të së dielës, tani janë flamujt e LDK,AAK e NISMA që po valojnë në automjete, derisa edhe para Teatrit janë mbledhur mbështetës të këtyre tri subjekteve politike.
Kjo po ndodh pas të bërit publike të marrëveshjes që kishin arritur sot LDK, AAK e NISMA, e që edhe me mbështetjen e Vetëvendosjes pritet që ta dërgojnë PDK-në në opozitë përkundër që ajo është e para si subjekt politik për nga përqindja e votave të fituara.
Duket se ajo në mungesë të partnerëve tjerë krahas atyre që i patë edhe para futjes në garë, nuk do të mund të bëjë shumicën për të pas numrat në parlament për bërjen e qeverisë çka u mundëson palës tjetër për ta bërë një gjë të tillë.
E në mesin e atyre që ishin tubuar tek Teatri i Qytetit ishte edhe kreu i AAK-së së Gjilanit Rexhep Kadriu, i cili për 2L ONLINE U shpreh se marrëveshja a arritur sot mes LDK, AAK e NISMA, është një marrëveshje e mirë e cila e dërgon Thaçin në opozitë dhe i hap perspektivë vendit në përgjithësi ndërsa vlerësoi se do të jetë në veçanti për Anamoravën mirë sepse kjo pjesë më me ngulm i ka kërkuar ndryshimet aq të domosdoshme dhe se kjo tani do të ndodh. Këto tri subjekte do të qeverisin vendin më së miri, ka thënë Kadriu. /2L ONLINE/