/2L ONLINE/ – Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë islame në Gjilan, sot në Teatrin e Qyteti të Gjilanit është mbajtur manifestimi në nderë të ditëlindjes së Profetit Muhamedit a.s.
Para të pranishmëve, për shëmbëlltyrën e profetit Muhamedit a.s, fillimisht foli Kreu i BI në Gjilan, Naim Aliu, sipas të cilit lindja e profetit Muhamed është ngjarje më e rëndësishme në historinë Islame nga se misioni I tij prej profeti e bëri njeriun që të njohë krijuesin fuqiplotë, ndërsa botën që të ketë më shumë qetësi, drejtësi, paqe e lumturi.
Duke folur për traditën e festimit të Datëlindjes së Pejgamberit a.s. te ne, Aliu tha se kjo është e kamotshme dhe si e tillë me shekuj është festuar si në ambientet familjare ashtu edhe në ato fetare.
Ndërsa, Prof. Dr. Qazim Qazimi, u paraqit para të pranishmëve me ligjëratën e tij, “Muhamedi a.s. prijatari më me ndikim në udhëzimin e njerëzimit”, duke thënë se tradita shumë shekullore te shqiptarët të mbajtjes së festës së Mevludit-Ditëlindjes së Pejgamberit a.s është dëshmi e dashurisë dhe përkushtimit të besimtarëve ndaj pejgamberit Muhamedit a.s.
Ai foli për jetën e pejgamberit a.s, për mrekullitë që ndodhën në ditëlindjen e tij, foli për fëmijërinë e tij, për jetën si profet, e deri në ditën kur ndërroi jetë.
Dr. Qazim foli edhe për fenomenin e Mevludit dhe historikun e tij, ndërsa mesazhi i tij ishte se është realitet i pamohueshëm se vetëm falë islamit që në princip nuk ka dhunë dhe e kultivon paqen, shqiptarët e ruajtën identitetin, gjuhën, kulturën lëndore dhe shpirtërore në etnosin e tyre dhe u shpëtuan pa u sllavizua, pa u greqizua, latinizua dhe turqizua. Duhet ditur se asnjëherë nuk do të ketë civilizim të mirëfilltë pa popull të qytetëruar, pa fe dhe pa atdhe.
Përndryshe, këtë manifestim e bënë më solemn këndimi i ilahive për Muhamedin a.s. nga Kori i Medresesë së mesme “Alaudin” të Prishtinës, si dhe pjesëmarrja e personaliteteve të ndryshme, në këtë mes edhe të ambasadores së Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç, dhe të nënkryetari të komunës Rexhep Kadriu, të Vedat Sahitit, këshilltar i Myftiut Naim Tërnava, e të ftuar të tjerë nga KBI-e Gjilanit, Vitisë dhe e Kamenicës, si dhe të tjerë. /2L ONLINE/