Është hapur sot në Qendren e Mjesësisë Familjare në “Dardani” të Gjilanit qendra “Klasat për Nëna”, si pjesë e programeve edukative për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë, projekt ky i cili po realizohet falë mbështetjes së Ambasadës së Zvicrës në vendin tonë.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në ceremoninë e hapjes, tha se ky është program që e bën krenar në kuadër të shëndetësisë primare në këtë komunë, i cili ka të bëj me përkujdesjen e nënës dhe fëmijëve në fazën e hershme.
“Faleminderit Ambasadës së Zvicrës për mbështjen në këtë projekt të rëndësishëm. Kjo dëshmon për mbështetjen në kontinuitet të shtetit mik, i cili edhe në këto rrethana po vazhdon të tregoj kujdes të shtuar. Dëshiroj t’ju njoftoj së Gjilani është përzgjedhur në mesin e tri komunave përfituese në programin e fundit për fëmijës të UNICEF për përkujdesje për nënat dhe fëmijët me nevoja të veçanta”, ka thënë Haziri.
Në emër të Ambasadës së Zvicres në Kosovë ka folur Paulina Gacaferri, e cila shprehu bindjen se “Klasat për Nëna” në mënyrë efektive do ta përmirësojnë shëndetin e grave dhe fëmijëve në komunën e Gjilanit.
“Ambasada e Zvicrës është përkushtuar që disa vite për ta forcuar pozitën e grupeve të margjinalizuara në Kosovë. Jemi shumë të lumtur që aksioni për nëna dhe fëmijë në bashkëpunim me QKMF’në dhe Komunën e Gjilanit, janë bashkuar dhe kanë hapur këtë qendër e cila si fokus do ta ketë shëndetin e nëave dhe fëmijëve, e në veçanti, grupet e margjinalizuara”, tha ajo.
Në këtë ngjarje kanë folur edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemaili dhe drejtori i Qendres Kryesore të Mjekësisë Familjare, Fejzulla Berisha.