Forca e Sigurisë së Kosovës në prag të “Ditës së Forcës” edhe këtë vit ka realizuar Garat sportive në gjashtë disiplina Futboll, Volejboll, Shah, Kros, Ping Pong dhe Shenjëtari ku morën pjesë pjesëtarë nga të gjitha njësitë e FSK-së.
Me këtë rast sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, u mbajt ceremonia e përfundimit të garave, dhe u bë ndarja e çmimeve në prani të Ministri të Mbrojtjes, z. Armend Mehaj, zëvendës komandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, oficerë e nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Vendi i parë në futboll të vogël i takoi ekipit të Regjimentit të parë të Komandës së Forcave Tokësore, në Volejboll vendi i parë i takoi ekipit të Regjimentit të tretë të KFT-së, Shenjëtari vendin e parë e mori rreshter Alban Azemi, Regjimenti i parë, në Shah më i miri u zgjodh rreshter i klasit të parë, Ferit Zhdrella Shtab i Përgjithshëm, në atletikë në kategorinë e meshkujve vendin e parë e zuri ushtar Leon Thaçi, Regjimenti i parë, përderisa në kategorinë e femrave vendi i parë i takoi ushtar Edona Lika, Regjimenti i parë, në kategorinë e Ping Pongut vendin e parë e fitoi Rreshter i klasit të parë Arsim Idrizi, Shtab i Përgjithshëm, ndërsa lojtari më i mirë në volejboll u shpall tetar Gazmend Hajra, Regjimenti i tretë dhe në futboll lojtari më i mirë u zgjodh Anton Dakaj, Regjimenti i parë.
Forca e Sigurisë së Kosovës çdo vit organizon gara te tilla sportive për nder të Ditës së Forcës, me ç ‘rast pjesëtarët kanë mundësinë që të dëshmojnë aftësitë e tyre garuese sportive dhe përgatitjen e lartë fizike dhe profesionale. /2LONLINE/