Në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka diskutuar në sesion me temë “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”.
Kryeministri Kurti prezantoi të arriturat e Republikës së Kosovës në vitin 2022, progresin ekonomik dhe demokratik. Ai theksoi nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.
Në këtë sesion, Kryeministri Kurti diskutoi krahas: Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, Alexander Schallenberg, Ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Miroslav Lajčák, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Borjana Krišto, Kryetare e emëruar e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Andrej Plenkoviq, Kryeministër i Kroacisë, Mikuláš Bek, Ministër për Çështjet Evropiane të Republikës Çeke, Bernard Emié, Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë e Jashtme, Ministria e Forcave të Armatosura të Francës, Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi, Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, Tanja Fajon, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Ignazio Cassis, Këshilltar Federal për Punët e Jashtme të Zvicrës, Odile Françoise Renaud-Basso, Presidente e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Londër, si dhe Achim Steiner, Administrator, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nju Jork.
Ky sesion me pjesëmarrës udhëheqës të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, u kryesua nga Børge Brende, President i Forumit Ekonomik Botëror, ndërsa u drejtua nga Mirek Dušek, drejtor menaxhues i Forumit Ekonomik Botëror. /2LONLINE/