Pikërisht në ditën e çlirimit, është inauguruar shëtitorja e re e Gjilanit mbi lumin Mirusha.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në ceremoninë e inaugurimit, tha se ky është një rikthim i memories për gjilanasit.
“Ky është njëri nga projektet që kemi dashur ta kthejmë në gëzim të çlirimit, për shkak se ky ka qenë problem më i madh që e ka përcjellë Gjilanin tash e 50 vjet. Rikthimi në rrugë dhe në çarshi të vjetër të Gjilanit, është rikthim i memories për gjilanasit. Në këtë shesh, jo vetëm që do të shëtisin njerëzit, por do të zhvillohet edhe ekonomia e vogël dhe zejet”, thënë Haziri.
Ai konfirmoi se ky projekt do të vazhdohet deri në përfundimin e shtratit të lumit Mirusha në një gjatësi prej 3 kilometrash.
“Do të vazhdojmë çarshinë ta zgjerojmë në drejtim të Deremahallës dhe në drejtim të lagjes Dardania, që përfshin ndërtimin e komplet shtratit të lumit në më shumë se 3 kilometra ecje. Tretmani i ujërave të zeza merr zgjidhje përfundimtare në fund të vitit të ardhshëm me ndërtimin e impiantit të ri, ku pëfshihet trajtimi i ujërave të zeza prej Grykës së Karadakut, fshatrat e rrafshit të Gjilanit, fshatrat që lidhen me Novobërdën dhe të gjitha ujërat e zeza dhe të shiut që do përfundojnë në një fabrikë përpunimi. Morava do të përkthehet në lum të pastër për Uglarin, Malishevën dhe Pogragjën”, shtoi Haziri.
Haziri tha se Komuna e Gjilanit është në proces të realizimit të 37 projekteve infrastrukturore me buxhetin vetanak, në bashkëpunim me buxhetin e qeverisë dhe me donatorët e huaj.
Në fund, i pari i Gjilanit u ka kërkuar falje qytetarëve që ky projekt është realizuar me një vonesë 20-vjeçare që nga paslufta.