Një interpretim për një grafit: “S’ka babë, ka ide”, apo si ishte me babën dhe si do të jetë pa të?
Shkruan: Bejtush Isufi:
Duke dashur të zbërthej në mënyrën time këtë grafit ( pa ndonjë parahyrje në temën e përjetshme të fëmijëve dhe baballarëve që nga mitet greke e deri te Sigmund Frojdi e tutje) mund të thuhet se grafiti shpreh një ironi dhe një dialektikë të të kundërtave, në të njëjtën kohë. Kuptohet edhe ironia edhe e vërteta kanë të bëjnë me Albinin. Është Ironike sepse gjithçka po përputhet si në variantin me thonjëza, si me atë pa thonjëza.
Ai po dëshmohet se ka pasur sukses në vetëmohimin e tij, sepse ata qenkan rritur në ndërkohë dhe si duket po mendojnë se nuk do t’ju duhet më “baba”… dhe në fillim ky sigurisht ka qenë edhe qëllimi dhe misioni i Albinit. Athua ka mundur të ndryshoj diçka gjatë kohës?
Dhe cila është dialektika e të kundërtave? Kjo ka të bëjë me atë se ai u përpoq që ta mohoj unin e tij duke e shkrirë vetën në Vetëvendosje, në qenjën kolektive, por pikërisht duke e bërë këtë (shkrirje) ai u bë një “baba” i madh… dhe atë jo vetëm duke u kujdesur shumë siç bëjnë baballarët, por për shumë arsye tjera, nga të cilat e fundit është ajo se atij ju bashkuan kryesisht studentët, por në radhë të parë për arsyen se te ne ende tradita e mendimit të lirë politik është tepër e shkurtër, për aq sa është e shkurtër edhe periudha e lirisë. (këtu nuk po e mohoj mundësinë që në shoqëritë jo të lira nuk mund të ketë mendim të lirë). Pra, duke mos e pasur lirinë nuk kemi mundur të kemi as mendimin e lirë politik, as guximin e as vendime të pa varura. Këto janë arsyet që njerëzit tanë lehtë i bashkohen udhëheqësit dhe shumë pak arrijnë të ruajnë individualitetin (i cili te ne ende nuk ka ndonjë peshë, tjetër është egoizmi e narcisoizmi).
Ata që ju bashkuan Albinit, shumica ishin tepër të rinjë, por u kalitën në betejat mendore dhe politike në shkollën e Albinit, ashtu që grafiti vetëm dëshmon diplomimin e tyre, përkatësisht suksesin maksimal të Albinit, e jo mohimin e tij siç mund ta kuptoj dikush sipërfaqësisht. Rruga kur largohesh nga “baba” shpije në pavarësi dhe prej kësaj besoj do të vazhdohet me pjesën tjetër dhe të vështirë të saj, andej prej nga idetë shkrihen në pikëpamje, e nga pikëpamjet ngritën doktrinat dhe në fund me këto “lëndë të para” ndërtohen institucionet, mungesa e të cilave e shpjegon ngecjen tonë, ndërsa ngecjet në anën tjetër na tregojnë për pasojat.
Siç dihet, hapi i fundit i emancipimit politik të një kombi është ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe shoqërisë demokratike, andaj asgjë më bindshëm se sa ky grafit nuk e dëshmon suksesin e Albinit në luftën e tij për të përgatitur gjenerata liderësh të cilët do pretendojnë të dëshmojnë me veprat e tyre se i kanë mësuar mësimet në Vetëvendosje.
P.S.
Në vend se të gjithë anëtarësia dhe sidomos udhëheqja e VV-së të përqendrohet dhe mobilizohet te Programi i Vetëvendosjes, duke u ripërcaktuar për VETËVENDOSJEN dhe Albinin , për VETËVENDOSJEN dhe Dardanin… për VETËVENDOSJEN dhe Visarin… për VETËVENDOSJEN dhe Liburnin… shumë nga ta po e bëjnë të kundërtën, me Albinin e kundër Albinit dhe kundër Vetëvendosjes, kundër Dardanit dhe me Dardanin, por kundër Vetëvendosjes… por e kotë, sepse Albinin dhe Vetëvendosjen i mund vetëm Albini dhe Vetëvendosja.