Sot, është mbajtur debati i parë i rregullt, nga kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, për vitin 2021, konkretisht për periudhën janar – qershor.
Në këtë debat kryetari Haliti ka prezantuar raportin e punës gjashtë mujore të Institucioneve komunale, si dhe planet për të ardhmen.
Në pjesën e parë të debatit kryetari Haliti ka falënderuar qytetarët e Vitisë, për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
“Një qeverisje e suksesshme, është e pamundur pa bashkëpunimin e ngushtë me ju të nderuar qytetarë. Qeverisja jonë, përbën thelbin e një qeverisje të mirë, demokratike, të përgjegjëshme, transparente dhe llogaridhënëse para juve qytetarë të nderuar, si dhe tek hierarkia e organeve më të larta si Kuvendit të Komunës, por edhe organeve më të larta mbikqyrëse të pushtetit lokal. Më gëzon fakti, se çdo vendim dhe punë e jona deri më tani, ka marrë legjitimitetin dhe konfirmimin nga qytetarët dhe nga Ministria e Pushtetit Lokal.
Unë, sinqerisht falënderoj secilin nga ju për mbështetjen, dhe bashkëpunimin e ofruar”, u shpreh kryetari Haliti.
Ai, gjithashtu ka paraqitur aktivitetet e të gjitha drejtorive komunale gjatë këtij gjashtë mujori, si dhe angazhimin e përkushtuar për rritjen e kualitetit të të gjitha shërbimeve komunale.
“Si çdo herë, edhe në këtë vit, ishim mjaftë të angazhuar dhe të përkushtuar të ofrojmë një jetë sa më të mirë për qytetarët e komunës sonë, të ofrojmë shërbime më cilësore publike, të rrisim kualitetin e arsimit, të ofrojmë shërbime më të mira shëndetësore, të ndikojmë në rritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve tanë, përmes investimeve direkte në bujqësi dhe përmes krijimit të një ambienti më të mirë për zhvillim ekonomik, të krijojmë një ambient më të pastër përmes mirëmbajtjes dhe rritjes së hapësirave të gjelbërta në të gjithë territorin e komunës. E gjithë kjo punë dhe angazhim është bërë përmes një bashkëpunimi të ngushtë me qytetarë, grupe të interesit dhe kategori të ndryshme.
Gjatë kësaj periudhe, është bërë punë e konsiderueshme në të gjithë sektorët, me një qëllim të vetëm që të jemi në shërbim të qytetarëve në mënyrë që të kenë një jetë sa më cilësore” tha ai.
Ndërsa në fund të këtij debati kryetari Haliti i’u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve të cilat janë adresuar në faqen e komunës.
Debati është mbajtur në mënyrë virtuale dhe është transmetuar në rrjetin social facebook, në llogarinë e komunës “Komuna e Vitisë”, si dhe nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv, në Plus TV. /2LONLINE.com/