(2L ONLINE) – Lidhur me rastin e rrahjes të një qytetari në tregun e kafshëve në fshatin Llabjan e më pas edhe raportimit për të shtëna me armë zjarri nga vëllai i viktimës në afërsi të shtëpisë së të dyshuarit Policia e Gjilanit ka dhënë informacione shtesë.
(shih shkrimin paraprak: Ka shtënë me kallash afër shtëpisë së personit që ja rrahu vëllain)
Policia e Kosovës në Gjilan ka bërë të ditur se në tregun e kafshëve në fshatin Llabjan ka ardhur deri te rrahja në mes të dy të dyshuarëve shqiptar shtetas të Kosovës banues në fshatin Llabjan Komuna Novobërd.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se pas një mosmarrëveshje paraprake që kishin në mes vete ka ardhë deri te një fjalosje e ashpër në mes të B. I. Dhe A. S. ku i dyshimti A. S. e ka goditur me dru viktimën në pjesën e kokës dhe i njëjti me lëndime të rënda është dërguar në spitalin Rajonal të Gjilanit.
Sipas tij, vëllai i viktimës i revoltuar ka shkuar në shtëpi dhe ka marre një pushkë automatike AK-47 dhe është nisur në drejtim të shtëpisë së të dyshuarit që pretendonte se e ka lënduar vëllain e tij.
Dyshohet se i dyshimti në afërsi të shtëpisë së A. S. ka shtënë dy herë. Nga hetimet e para mësohet se nuk ka të lënduar.
“Me urdhër të prokurorit të shtetit, Policia e Kosovës njësite sektoriale të stacionit policor të Novobërdës dhe të Gjilanit kanë bastisur dy shtëpitë dhe objektet përcjellse të të dyshuarit.Dy të dyshuar të involvuar në incident me urdhër të prokurorit ndalën në mbajtje për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Sipas tij i dyshuari që ka shtënë me armë për momentin gjendet në arrati, ai dyshohet të jetë i armatosur, e në kërkim të tij janë vënë njësitet policore.
Rasti i referohet njësive të Hetimeve Rajonale. /2L ONLINE/