Derbi i javës së 15- të të Superligës së Kosovës në futboll, në mes të FC Drita dhe FC Ballkani, u përmbyll pa fitues, pasi të dyja këto ekipe pretendente kryesore për titull kampioni i ndanë pikët, pasi luajtën baras 2 – 2.
Ndonëse, Drita dy herë ishte në avantazh, nuk i a doli t’i ndalë të tria pikët për vete, por i ndau me Ballkanin. Skuadra gjilanase ishte e mirë dhe me pak fat mund edhe të fitonte ndeshjen pasi pati raste shënimi, edhe kur avanconte 2 – 1, por se fati sportiv dhe rregulla e pashkruar e futbollit që kur nuk shënon, ndëshkohesh, andaj erdhi edhe deri te epilogu i ndeshjes, barazimi 2 me 2.
Megjithatë, skuadra bardhekaltër e cila po e kryeson tabelën e klasifikimit me 31 pikë nga 15 xhiro, ruan diferencën prej 4 pikësh, ndaj Ballkanit që është e dyta me 27 pikë, por që i ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje, për shkak të lojërave në garat evropiane.
Përndryshe, kur jemi te ndeshja e sotme, të dyjat pjesë përfunduan 1 me 1. Drita avanconte e Ballkani barazonte. Golashënues për Dritën, Besnik Krasniqi (12’ – penalltia) e Marko Simonovski (49’), ndërsa për Ballkanin, Albin Berisha (23’) e Albion Rrahmani (75’). /2LONLINE/